Presidenti Thaçi takoi ushtruesin e ri të detyrës së shefit të EULEX-it, u shpreh se Kosova dhe EULEX do të vazhdojnë bashkëpunimin

Prishtinë, 30 qershor 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot ushtruesin e ri të detyrës së shefit të EULEX-it, Bernd Thran, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në mes të institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it, pas miratimit të ligjit të ri si dhe pas ristrukturimit të misionit.

“Kemi vendosur një traditë të mirë të bashkëpunimit”, u shpreh presidenti Thaçi, i cili shtoi se ky bashkëpunim i mirë duhet të vazhdojë.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë shtuar kapacitetet e veta dhe janë të gatshme të marrin edhe më shumë kompetenca. Presidenti Thaçi e falënderoi atë për bashkëpunimin e EULEX-it me Qeverinë, me Ministrinë e Drejtësisë si dhe me të gjitha institucionet e tjera relevante të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së shefit të EULEX-it, Bernd Thran, theksoi se EULEX do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës edhe pas ristrukturimit të brendshëm të misionit.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova mbetet e përkushtuar në konsolidimin e sundimit të së drejtës.