Presidenti Thaçi takoi në Nju Jork Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan

Nju Jork, 20 shtator 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në krye të delegacionit të Kosovës, u takua mbrëmë me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në kuadër të takimeve në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork.

I shoqëruar nga Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, presidenti Thaçi i shprehu falënderimin presidentit Erdoğan për mbështetjen e gjithmbarshme të Turqisë dhënë Kosovës.

Ai tha se Kosova i është mirënjohëse Turqisë për rolin e saj në përkrahjen e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe njohjen nga vendet e tjera.

Kreu i shtetit ftoi për rritjen e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në ekonomi.

Presidenti Thaçi e ftoi presidentin Erdoğan që ta vizitojë Kosovën në të ardhmen e afërt në funksion thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror.