Presidenti Thaçi takoi në Nju Jork Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të KB, Mirosllav Llajçak

Nju Jork, 23 shtator 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në përmbyllje të vizitës së tij pesëditore në Nju Jork, në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka takuar Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Mirosllav Llajçak.

Presidenti Thaçi e uroi presidentin Llajçak për marrjen e detyrës.

Kreu i shtetit theksoi se Kosova po vazhdon të konsolidojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar në skenën politike globale, mbetet e përkushtuar për forcimin e sundimit të ligjit, për zhvillimin ekonomik, si dhe për përshpejtimin e rrugëtimit euro-atlantik.

Presidenti Thaçi diskutoi me presidentin Llajçak edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se përfshirja e drejtpërdrejtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fazën përfundimtare është e domosdoshme për të siguruar një marrëveshje përfundimtare, të pranueshme dhe të zbatueshme për të dyja palët, e që do të kontribuonte për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. I pari i vendit u shpreh se pret edhe mbështetjen e vazhdueshme dhe të hapur të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për procesin e dialogut.