Presidenti Thaçi takoi në Nju Jork Mbretin Abdullah II të Jordanisë

Nju Jork, 19 shtator 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, në krye të delegacionit të Kosovës, është takuar sot me Mbretin Abdullah II të Jordanisë, në kuadër të seancës së radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

I pari i vendit, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, i shprehu mirënjohjen e shtetit të Kosovës ndaj Jordanisë për mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale.

“Kosova është e interesuar për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare me Jordaninë. Për këtë, propozojmë organizimin e një forumi ekonomik vjetor, që do të ishte një mundësi e mirë për bizneset e dy vendeve që të fillojnë kontaktet dhe të fuqizojnë këtë bashkëpunim”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit.

Presidenti Thaçi theksoi se mbështetja e Jordanisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare është shumë e rëndësishme.

I pari i vendit tha se iniciimi i nënshkrimit të marrëveshjes për mbrojtjen e investimeve dhe shmangien e tatimit të dyfishtë mes dy vendeve tona janë dy marrëveshje të rëndësishme që do të përforcojnë bazën ligjore ekonomike mes dy vendeve.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në luftimin e terrorizmit, forcimit të bashkëpunimit në nivel të agjencive të inteligjencës dhe mes forcave të sigurisë për të shkëmbyer përvojat dhe informatat në luftën kundër terrorizmit.

Tutje u tha se Kosova dhe Jordania janë dy shembuj të shkëlqyeshëm të harmonisë fetare dhe të promovimit të dialogut ndërfetar.

Presidenti Thaçi është takuar sot edhe me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.