Presidenti Thaçi takoi në Nju Jork Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Pllenkoviq

Nju Jork, 20 shtator 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi një takim pune sot në Nju Jork me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Pllenkoviq.


Presidenti Thaçi tha se Kosova është falënderuese dhe mirënjohëse ndaj Kroacisë për ndihmën e jashtëzakonshme për shtet-ndërtimin e Kosovës, forcimin e demokracisë, sigurimin e një të ardhme të sigurt në rrugën euroatlantike.

“Për ne, Kroacia, si anëtare e BE-së dhe NATO-s është ndër aktorët kryesorë rajonalë dhe është partnere strategjike e Kosovës në përpjekjet e përbashkëta për forcimin e stabilitetit dhe të paqes në rajon. Kosova është e përkushtuar ndaj objektivit kryesor të politikës së saj të jashtme, përkatësisht anëtarësimit të plotë në BE dhe në NATO”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit.

Kreu i shtetit tha se Kosova ndan më Kroacinë pikëpamje të përbashkëta mbi zhvillimet në rajon, veçanërisht në orientimit euro-atlantik dhe në përballjen me sfidat e sigurisë.
Presidenti Thaçi e falënderoi Kryeministrin e Kroacisë për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit kroat për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.