Presidenti Thaçi: SHBA-të, BE-ja dhe NATO, thelbi i politikës së jashtme të Kosovës

Prishtinë, 19 dhjetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në hapjen e konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës.

Presidenti qysh në fillim ka përgëzuar ambasadorët e Kosovës, për punën e tyre në prezantimin e interesave të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës në botë.

Ai ka theksuar se të gjithë i kanë të njohura sfidat, me të cilat ata përballen çdo ditë – që nga kufizimet financiare e deri te nevoja për kapacitete më të mëdha diplomatike.

Por, sipas tij, për një moment duhet të shohim prapa, ku ishim atëherë kur filluam gjithçka dhe ku jemi sot. Presidenti ka thënë se bashkërisht është arritur të artikulohet një politikë e jashtme e qartë, duke identifikuar interesat e shtetit dhe mekanizmat për t’i realizuar qëllimet.

“E kemi bërë të qartë se e ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE dhe NATO, dhe politika jonë e jashtme angazhohet me tërë fuqinë e saj për realizimin e kësaj aspirate”, ka shtuar ai.

Kosova ka thënë Presidenti, brenda më pak se një dekade të funksionimit si shtet i pavarur ka arritur me sukses të konsolidoj shtetësinë e saj, duke operuar në një ambient ndërkombëtar tepër anarkik.

Edhe përkundër kësaj, sipas tij është arritur që brenda këtyre viteve të shtohen numri i shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Kemi qenë të suksesshëm edhe në anëtarësimin në organizata rajonale e ndërkombëtare dhe kjo na ka inkurajuar që të synojmë edhe më shumë organizata e forume tjera”, ka thënë ai.

Duke bërë një bilanc për vitin 2016, Presidenti ka thënë se ka qenë veçanërisht i suksesshëm për përfaqësimin tonë në arenën ndërkombëtare sportive.

“Jemi pranuar në shumë federata të rëndësishme sportive, si UEFA e FIFA dhe për herë të parë morëm pjesë në Lojërat Olimpike në Brazil dhe nuk u kthyem duar bosh. Ambasadorja më e mirë e Kosovës, sportistja më e mirë e Kosovës Majlinda Kelmendi e ngriti lart flamurin e Kosovës dhe na bëri të gjithëve krenar duke fituar medaljen e artë”, ka shtuar ai.

Para ambasadorëve të Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi ka theksuar se paqja, dialogu, bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, toleranca dhe bashkëjetesa mes komuniteteve pa dallim përkatësinë e tyre, sundimi i ligjit dhe prosperiteti, janë vlerat tona udhëheqëse.

“Këto janë vlerat që janë në thelb të idesë tonë për shtetin dhe për shoqërinë. Këto vlera, më shumë se çdo gjë tjetër, na bëjnë pjesë të familjes së madhe Evropiane pavarësisht trajtimit jo të drejtë që na bëhet sot nga Bashkimi Evropian”, ka shtuar ai.

Presidenti ka folur edhe për marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunim i afërt me shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s dhe shtetet fqinje të Kosovës, të cilat  janë thelbi i politikës së jashtme.

Ai ka rikujtuar se arena ndërkombëtare nuk ka qenë kurrë më e tensionuar dhe e kërcënuar nga rreziqe të natyrave të ndryshme.

Presidenti ka kërkuar nga ambasadorët që bashkërisht të jenë të vëmendshëm dhe të ndërmarrin veprime parandaluese kundër disa ideologjive dhe tendencave të cilat janë krejtësisht të papranueshme për shtetin dhe shoqërinë tonë.

“Idetë ekstremiste e radikale, pa marrë parasysh se nga çfarë ideologjie e kanë pikënisjen e tyre, idetë diskriminuese kundër komuniteteve apo individëve apo grupeve të caktuara, janë të papranueshme në shoqërinë tonë. Pikërisht për shkak të këtyre rrethanave, roli i juaj të nderuar ambasadorë është i pazëvendësueshëm”, ka theksuar ai.

Gjatë konferencës vjetore, ai ka thënë se ambasadoret do të kenë mundësi të bisedojnë hapur për të gjitha sfidat, por edhe mundësitë që ka Kosova për të afirmuar rolin e vet në mesin e popujve të lirë të botës.

“Prandaj, iu uroj punë të mbarë gjatë ditëve në vazhdim të konferencës dhe shumë suksese në punën tuaj fisnike në shërbim të Republikës së Kosovës”, ka thënë në fund Presidenti.

Në Konferencën e ambasadoreve, e organizuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës, po marrin pjesë të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës dhe mysafirë të shumtë nga shtete të ndryshme të botës.