Presidenti Thaçi prokurorëve: Kam besim të plotë në ju, do ta keni mbështetjen e fuqishme timen dhe të gjithë shtetit të Kosovës

Prishtinë, 28 janar 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij në hapje të Konferencës Vjetore të Prokurorëve, para të pranishmëve të shumtë, ndër të tjera tha se ballafaqimi me krimin është sfidë më vete, por se beteja në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe fenomeneve tjera negative duhet të jetë permanente, e vendosur dhe me tolerancë zero.

Kreu i shtetit theksoi se detyra e prokurorit është e shenjtë dhe se nëse prokurorët i kryejnë detyrat e tyre me përkushtim, atëherë me suksesin e tyre Kosova do të jetë vend me i fortë dhe një vend edhe më i mirë për të jetuar.

Presidenti Thaçi ka thënë se në synimin tonë për të vërtetën dhe pajtimin duhet të punojmë të gjithë dhe se përkushtimi i tij si i pari i vendit është të fitojë drejtësia, e vërteta, dhe pajtimi ndëretnik në Republikën e Kosovës. Ai tha se vetëm përmes ballafaqimit me sfidat më të rënda e më të ndjeshme ata mund ta ndihmojnë shtetin dhe do të jenë patriotët më të mëdhenj të këtij vendin.

Në vijim fjala e plotë e Presidentit Thaçi në Konferencën Vjetore të Prokurorëve
 
Të nderuar të pranishëm,
E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Hoxha,
I nderuar Kryeprokuror i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi,
I nderuar Kryesues i Këshillit Prokurorial, z. Isufaj,
I nderuar Kryesues i Këshillit Gjyqësor, z. Idrizi,
Përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare,
I nderuari ambasador, z. Braathu,
Të nderuar përfaqësues të EULEX-it,
Të nderuar përfaqësues të të gjithë mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë,
Të nderuar përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,
E nderuara zëvendësambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Të nderuar prokurorë dhe ju të pranishëm,
Të nderuar mysafirë të pranishëm,
Të nderuar përfaqësues të medieve,

Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni, në fillim, të përshëndes organizimin e kësaj konference dhe të uroj që punimet e kësaj konference të arrijnë qëllimet e saj.

Sistemi Prokurorial i Kosovës është një hallkë shumë e rëndësishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton që Këshilli Prokurorial i Kosovës të jetë institucion plotësisht i pavarur në kryerjen e funksioneve të tij, në pajtim me ligjin. Këshilli siguron qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë personat në Kosovë dhe siguron që Prokurori i Shtetit të jetë i pavarur, profesional dhe i paanshëm.

Janë bërë dhe po bëhen në vazhdimësi reforma, me qëllim të forcimit të sistemit prokurorial dhe tërë sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës. Siç e dini, në vitin 2010 janë miratuar Ligji për Prokurorin e Shtetit dhe Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku me hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve kanë ndryshuar edhe strukturat organizative të prokurorive.

Legjislacioni në fuqi garanton që Prokurori i Shtetit të jetë institucion i pavarur që ushtron funksionet e veta në mënyrë të paanshme, dhe se Prokurori i Shtetit si dhe secili prokuror para ligjit siguron trajtim të barabartë, objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë personat, pavarësisht gjinisë, racës, prejardhjes kombëtare apo sociale, shoqatave apo lidhjeve politike, besimeve fetare, gjendjes apo të metave shëndetësore, apo pozitës shoqërore.

Deri më tani, janë nxjerrë akte ligjore, janë hartuar dokumente të politikave (strategji), janë ngritur kapacitetet e prokurorëve përmes programeve të ndryshme të financuara nga vetë ne si shtet por edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë.

Unë dëshiroj, duke filluar nga kryeprokurori i shtetit dhe të gjithë ju prokurorë të nderuar, të ju falënderoj për punën tuaj që po e bëni. Natyrisht, gjithmonë ka hapësirë që të bëhet edhe më tepër.

Të nderuar prokurorë,

Janë bërë hapa konkretë në forcimin e sistemit Prokurorial të Kosovës, mbetet përkushtimi i juaj që të zbatoni legjislacionin në fuqi, të jeni të pavarur, profesional, të paanshëm, të përkushtuar në punën tuaj, ndërkaq njohuritë tuaja të marra nga programet e ndryshme të trajnimit dhe shkëmbimit të përvojave t’i vëni në praktikë.

Ballafaqimi me krimin është sfidë më vete, por beteja në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera negative duhet të jetë permanente, e vendosur dhe me tolerancë zero.
Ju keni shënuar suksese shumë të rëndësishme, suksese këto që janë të vlerësuara, por të gjithë ne presim edhe më tepër.

Detyra e prokurorit është e shenjtë. Nëse detyrën tuaj e kryeni me përkushtim, mund t’ju them lirisht se me suksesin tuaj  Kosova do të jetë vend me i fortë dhe një vend edhe më i mirë për të jetuar.
Lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, beteja kundër fenomeneve të tjera negative do të jetë permanente. Nuk është betejë e së shkuarës, nuk është betejë vetëm e sotme, por do të jetë një betejë edhe për të ardhmen, do të jetë një betejë e gjatë. Jam i sigurt se ne do ta fitojmë.

Tani, tek institucionet vendore është edhe autoriteti i plotë ekzekutiv për sa u përket krimeve te luftës. E di se nga vendorët dhe politika vendore rrallë dëgjoni fjalë apo mesazhe në këtë drejtim. Por, unë, si president i vendit, dua të jem shumë i drejtpërdrejtë, shumë i qartë edhe me ju, duke respektuar gjithmonë Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës.

Kosova është një vend i pavarur, është vend sovran, është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim, i shqiptarëve, i serbëve, boshnjakëve, turqve, romëve, i të gjitha komuniteteve.
Në po ndërtojmë demokracinë qytetare në Kosovë. Kosova nuk i takon një etnie më tepër apo një etnie tjetër më pak. Para ligjit janë të gjithë të barabartë.

Krimi është krim, ai nuk vjetërsohet, as nuk harrohet, as nuk fiton ndonjë status juridik me kalimin e kohës.

Përkushtimi im si president i vendit është që të punojmë të gjithë, por në veçanti ju do ta keni përkrahjen e plotë në angazhimevttuaja për drejtësi të plotë, edhe në çështjet më të ndjeshme.
Unë takoj familjarë të masakrave të Mejes, ndërkaq autorët e krimeve në këtë ende nuk e kanë marrë përgjigjen nga sistemi i drejtësisë.

Takoj qytetarë, familjarë të masakrës në Izbicë. Edhe autorët e krimeve kundër njerëzimit në Izbicë nuk e kanë marrë përgjigjen e duhur.

Takoj qytetarë, familjarë, shoqata të familjarëve të masakrës së Studimes të cilët ende nuk e kanë marrë përgjigjen nga sistemi i drejtësisë për ato masakra, për ato vrasje të grave, fëmijëve, të pleqve që janë kryer.

Gjithashtu, takoj dëshmitarë të gjallë të masakrës në burgun e Dubravës. Edhe atje nuk e kemi ende përgjigjen nga sistemi i drejtësisë, as prej ndërkombëtarëve (me gjithë faktin që u jemi mirënjohes për punën e mirë që kanë bërë), e as prej vendorëve. Duke e shfrytëzuar në këtë drejtim edhe eksperiencën ndërkombëtare të mëhershme të UNMIK-ut, e tani të EULEX-it, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore, kërkojmë që të punohet edhe më tepër.

Por, në të njëjtën kohë unë takoj, vizitoj dhe dëgjoj me vëmendje edhe familjarët e atyre ngjarjeve të dhimbshme, por edhe të masakrës që ka ndodhur, krimit të rëndë që ka ndodhur edhe në Grackë të Vjetër të Lipjanit, ku janë vrarë 14 qytetarë. Gjithashtu, vrasja e fëmijëve në Gorazhdec që ka ndodhur pas luftës. Takoj edhe shoqatat e njerëzve të pagjetur të shqiptarëve, serbëve, të të gjithëve së bashku. Ata të gjithë i bashkon një kërkesë - drejtësi. Ata nuk as më pak e as më tepër, vetëm kërkojnë drejtësi, dhe këtë drejtësi duhet ta bëni ju të nderuar prokurorë, autoritete të drejtësisë në bashkëpunim edhe me sistemin ndërkombëtar.

Ata njerëz që kanë kryer krimet në Izbicë nuk janë larg, janë në rajonin tonë. Gjithashtu, kërkoj një trajtim të barabartë.

Përkushtimi im si president i vendit është që të punojmë të gjithë, dhe mbështetjen e shtetit do ta keni, që të ngadhënjejë drejtësia.

Në synimin tonë për të vërtetën dhe pajtimin duhet të punojmë të gjithë, pra përkushtimi im si kreu i vendit është të fitojë drejtësia, e vërteta dhe pajtimi ndëretnik në Republikën e Kosovës.

Të jeni të bindur se vetëm kështu mund ta ndihmoni shtetin dhe do të jeni patriotët më të mëdhenj të këtij vendi, nëse ballafaqoheni me sfidat më të rënda, më të ndjeshme. E di se ato sfida nuk janë populiste, por përbëjnë vendimet dhe qasjen më të drejtë për vendin tonë. Kjo është në dorën tuaj, në mekanizmin tuaj, në vullnetin tuaj, në vendosmërinë tuaj.

Të jeni të sigurt se do ta keni përkrahjen e plotë të shtetit, do ta keni përkrahjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare.   

Unë ju ftoj të gjithëve për një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ndërkombëtare.
E kuptoj drejtë se janë çështje të ndjeshme, sepse kudo që të ngritni çështje të tilla të ndjeshme prej një pale do të jeni të akuzuar, mirëpo drejtësia nuk duhet në asnjë moment të ndikohet nga emocionet e politikës ditore apo vetëm prej përkatësisë etnike.

Të nderuar prokurorë,

Në pajtim me legjislacionin në fuqi, nga unë si president i Republikës së Kosovës, e ritheksoj edhe njëherë do ta keni mbështetjen time të fuqishme për ndjekjen e personave të akuzuar për kryerjen e veprave penale dhe veprave të tjera.

I nderuari kryeprokuror i shtetit,

Të nderuar përfaqësues ndërkombëtarë,

Për mua ishte kënaqësi e veçantë që sot të flas para jush dhe të ju uroj për hapjen e kësaj konference.
Unë ju dëshiroj sukses dhe punë të mbarë. Kam besim të plotë në ju dhe do ta keni mbështetjen e fuqishme timen dhe të gjithë shtetit të Kosovës.

Ju faleminderit!