Presidenti Thaçi priti shefin e ri të Misionit të Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli

Prishtinë, 17 tetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim njoftues shefin e ri të Misionit të Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, të cilit i ka uruar mirëseardhje dhe suksese në punën e tij të re.

“Kemi instaluar traditë të bashkëpunimit të mirë në mes të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Bankës Botërore dhe është e mirëseardhur mundësia për të thelluar këtë bashkëpunim”, është shprehur presidenti Thaçi.
 
Nga ana tjetër, shefi i ri i Misionit të Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, u shpreh i gëzuar me mundësinë që të punojë në Kosovë.
 
“Jemi duke përgatitur ciklin e ri të asistencës së Bankës Botërore”, ka thënë Mantovanelli, duke konfirmuar se do të vazhdohet përkrahja për shumicën e sektorëve, veçanërisht për bujqësinë, ujërat, shëndetësinë dhe teknologjinë informative.
 
Presidenti Thaçi e siguroi shefin e ri të Misionit të Bankës Botërore në Kosovë, se do të ketë mbështetjen e Zyrës së Presidentit për realizimin e projekteve të parapara për Kosovën.