Presidenti Thaçi priti në takim shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou

Prishtinë, 8 dhjetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin në mes të institucioneve të shtetit të Kosovës dhe EULEX-it.

Presidenti Thaçi u shpreh se EULEX-i e ka përkrahjen e institucioneve kosovare në përmbushjen dhe përmbylljen e misionit të vet. “Ju përgëzoj për bashkëpunimin e mirë me të gjitha institucionet e Kosovës, me qeverinë dhe me ministritë, me organet e rendit e të ligjit”, shtoi presidenti Thaçi.

Shefja e EULEX-it, Papadopoulou, u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin me institucionet e Kosovës dhe përpjekjet për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Gjithashtu, ajo njoftoi Presidentin Thaçi se EULEX ka përfunduar me procesin e ristrukturimit.

“Por, puna jonë vazhdon si më parë. Llogarisim në përkrahjen tuaj që të vazhdojmë më tutje me suksesin e misionit të EULEX-it”, tha Papadoupoulou.

Presidenti Thaçi konfirmoi përkrahjen e institucioneve të Kosovës për EULEX-in. “Kemi synim të njëjtë, kemi vizion të njëjtë, të afrojmë Kosovën drejt BE-së”, u shpreh presidenti Thaçi.