Presidenti Thaçi priti ministren Hoxha, i jep përkrahje për konsolidimin e drejtësisë

Prishtinë, 25 korrik – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot Ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, të cilës i uroi marrjen e detyrës dhe i dëshiroi suksese në detyrën e saj të re.

Presidenti Thaçi dhe ministrja Hoxha biseduan për rëndësinë e konsolidimit të mëtutjeshëm të sektorit të drejtësisë.

Në takim u konstatua se është bërë progres i madh në Kosovë në instalimin e sundimit të ligjit, që nga shpallja e pavarësisë, si dhe u konfirmua nevoja që të punohet edhe më tutje për të garantuar funksionim sa më të mirë dhe efikas të gjyqësorit dhe institucioneve tjera në sektorin e drejtësisë.

Presidenti Thaçi në këtë takim shprehu përkrahjen për punën për plotësimin e Kodit Penal dhe inkurajoi angazhimin për përfundim sa më të shpejtë të kësaj nisme.

“Kosova ka Kodin Penal më të mirë në rajon. Por, nëse identifikohet ndonjë mangësi është e nevojshme që sa më parë të plotësohen këto mangësi”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Askush nuk mund t’i ikën drejtësisë”, shtoi presidenti Thaçi.

Ndërsa, ministrja Hoxha konfirmoi përkushtimin e saj për reformimin e legjislacionit në fuqi në Kosovë dhe tregoi kahun e angazhimit të saj si ministre e re e drejtësisë mbi parimin se askush nuk do te jete mbi ligjin dhe se nuk do këtë standarde të dyfishta, sepse të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit.

“Rishikimi strategjik i sektorit të sundimit të ligjit do të jetë prioritet i imi së bashku me reformimin e legjislacionit për efikasitet sa më të lartë në këtë sektor”, u shpreh ministrja Hoxha.

Presidenti Thaçi shprehu përkrahjen e tij për punën e ministres së re.

“Sundimi i ligjit është çelës i zhvillimit të mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës”, përfundoi presidenti Thaçi.