Presidenti Thaçi priti komisionerin Hahn, flasin për perspektivën evropiane të Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Johannes Hahn.

Presidenti Thaçi ka falënderuar komisionerin Hahn për vizitën e tij në Republikën e Kosovës dhe për mbështetjen e tij për procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, por edhe për rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
 
“Ne do t’i kryejmë të gjitha obligimet tona që edhe zbatimi i vizave të ndodh sa më shpejt, të përmbyllet ky proces me sukses të plotë. Rekomandimi nuk ka qenë dhuratë për Kosovën, por ka qenë meritë dhe zbatim i plotë i të gjitha kritereve të nevojshme demokratike”, është shprehur presidenti Thaçi.
 
Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është vend stabil, me institucione stabile, me një komunikim dhe dialog të brendshëm mes spektrit politik kosovar. Gjithashtu, ai ka thënë se jemi edhe në një fazë të re të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si një proces që do çojë drejt evropianizimit të plotë të rajonit.

Ndërkaq, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Johannes Hahn, u shpreh se ai po qëndron në vizitë në Kosovë për të shfrytëzuar së bashku me autoritetet kosovare këtë momentum evropian të fituar në muajt e fundit.
 
“Mendoj se raporti pozitiv për liberalizimin e vizave, por edhe fakti se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka hyrë në fuqi, nënkupton se vendi ka shumë mundësi përpara. Tani është koha për të parë se si ne mund t’i shfrytëzojmë këto mundësi, veçanërisht për t’i dhënë shtytje ekonomisë”, ka thënë komisioneri Hahn.
 
Komisioneri Hahn ka thënë se është e rëndësishme që të përmbushen dy kërkesat e mbetura për të siguruar miratimin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se konsideron se kjo duhet të jetë e arritshme, sepse është në interes të vendit dhe se nuk bëhet fjalë vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe për njërin prej hapave të parë drejt perspektivës evropiane të shtetit.
 
“Është shumë me rëndësi për të zgjidhur problemet aktuale sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të përqendroheni në shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, për trajtimin e papunësisë në vend, posaçërisht në mesin e të rinjve”, theksoi komisioneri Hahn.
 
Presidenti Thaçi falënderoi komisionerin Hahn për mesazhet e tij që i ka dërguar sot për gjithë spektrin politik, shoqërinë kosovare dhe për të gjitha institucionet e vendit.
 
Ai ka thënë se kemi një qëllim, një vizion, dhe se ai është perspektiva evropiane e Republikës së Kosovës.
 
“Bashkërisht do t’i realizojmë të gjitha”, ka thënë presidenti Thaçi.