Presidenti Thaçi priti komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral Majorin Giovanni Fungo

Prishtinë, 8 shtator 2016 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar Gjeneral Majorin Giovanni Fungo, komandantin e XXI të KFOR-it, i cili ka marrë detyrën e re më 1 shtator.

Presidenti Thaçi i ka uruar detyrën e re Gjeneral-Majorit Fungo dhe ka shprehur kënaqësinë që këtë detyrë e merr një ushtarak që njeh mirë rajonin nga detyrat e mëhershme që ka kryer.

Kreu i vendit u shpreh se KFOR-i gëzon besimin e madh të qytetarëve të Kosovës dhe se kjo është falë punës dhe përkushtimit që ka dëshmuar.

“KFOR-i është i pazëvendësueshëm”, ka thënë Presidenti Thaçi dhe ka shtuar se “puna e KFOR-it është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Kosovë por edhe në rajon”.

Ndërkaq, Gjeneral-Majori Fungo ka shprehur kënaqësinë që është përsëri në Kosovë dhe ka konfirmuar angazhimin e KFOR-it të sigurojë lirinë e lëvizjes dhe ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë.

“Moto e imja do të jetë ‘besim dhe përkushtim’ që përshkruan misionin e KFOR-it XXI”, ka thënë Komandanti i KFOR-it Fungo.

Presidenti Thaçi u shpreh se falë punës së përbashkët “kemi ndërtuar një shoqëri mbi themelet e multi-etnicitetit, të bashkëjetesës, të tolerancës etnike dhe fetare” dhe u shpreh i gatshëm të vazhdojë “bashkëpunimin e shkëlqyer me KFOR-in”.