Presidenti Thaçi priti ambasadorin suedez jorezident për Kosovën, prej shtatorit Suedia rrit përfaqësimin diplomatik

Prishtinë, 25 korrik 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot ambasadorin jorezident të Suedisë, Mats Staffansson.

Ambasadori Staffansson në këtë takim e njoftoi presidentin Thaçi se Suedia ka vendosur që të rris përfaqësimin e saj në Kosovë dhe se prej shtatorit do të ketë ambasador të Suedisë në Prishtinë.
 
Presidenti Thaçi e mirëpriti këtë lajm të mirë dhe shprehu mirënjohje për këtë vendim të rëndësishëm për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Suedisë.
 
“Ju faleminderit për vlerësimin që i bëni marrëdhënieve tona. Suedia ka qenë dhe mbetet vend mik i Kosovës”, tha presidenti Thaçi.
 
Ambasadori Staffansson u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e tij me autoritetet kosovare.
 
 “Urime për njohjen e re të shtetit të Kosovës”, tha ambasadori Staffansson, i cili presidentit Thaçi i shprehu ngushëllime edhe për humbjet tragjike të jetëve të qytetarëve me prejardhje nga Kosova në sulmet në Mynih.
 
Presidenti Thaçi e falënderoi ambasadorin Staffansson për përkrahjen dhe për bashkëpunimin e tij të deritashëm.
 
Suedia ka ambasadë në Kosovë, por deri më tash ambasador për Kosovën dhe për Shqipërinë ka qenë ambasadori i Suedisë në Shkup, kurse prej shtatorit do të ketë ambasadorin e saj  në Kosovë.