Presidenti Thaçi pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Australisë

Prishtinë, 19 dhjetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit jorezident të Australisë në Kosovë, Brendon Charles Hammer.

Duke e uruar për detyrën e re, presidenti Thaçi theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona janë të shkëlqyeshme dhe kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Australisë për Kosovën.
 
“Ne do të punojmë edhe më shumë në forcimin e marrëdhënieve tona bilaterale. Presim mbështetjen tuaj për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
Nga ana tjetër, ambasadori jorezident i Australisë në Republikën e Kosovës, Brendon Charles Hammer, premtoi se do të punojë për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale.
 
Ambasadorin Hammer, presidenti Thaçi e falënderoi edhe për mbështetjen që Australia i ka dhënë procesit të njohjes së shtetit tonë, duke e shtrirë ndikimin e saj tek shtetet mosnjohëse.