Presidenti Thaçi pranoi kredencialet e ambasadorit të ri të Zvicrës

Prishtinë, 29 shtator 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet.

Presidenti Thaçi i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Lebet, duke i ofruar mbështetje të plotë në mandatin e tij në Kosovë.
 
Ai ka thënë se Kosova dhe Zvicra do të vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer ndërshtetëror dhe ndërmjet dy popujve.
 
Nga ana tjetër, ambasadori i ri i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, ka theksuar se do të ruhet përkushtimi i Zvicrës për Kosovën, edhe pse ka pasur reduktime në përkushtimet tjera.
 
“Do të përkrahim zhvillimin dhe dialogun”, ka thënë ambasadori Lebet.
 
Presidenti Thaçi e ka falënderuar ambasadorin Lebet për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit të Zvicrës për popullin e Kosovës.