Presidenti Thaçi: Populli ynë i dha botës një mrekulli, i dha Nënën Terezë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot mori pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë, në Vatikan.

Ceremonia e shenjtërimit e drejtuar nga Papa Françesku në bazilikën e Shën Pjetrit mblodhi liderë dhe personalitete të shumta botërore.

“Populli ynë i dha botës një nënë të dashur për gjithë popujt. I dha një mrekulli, që me rrugën e saj fisnike ishte simbol i mirësisë dhe mishërim i vetive më të mira njerëzore. Sot, bashkë me shenjtërimin e Nënës Terezë u shenjtërua edhe prejardhja e saj shqiptare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Për nder të humanistes shqiptare, mbrëmë në Selinë e Shenjtë u mbajt edhe koncerti “Himni i Nënës Terezë”, ku morën pjesë artistë të njohur shqiptarë dhe botërorë.

Nëna Terezë ishte dekoruar me çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, ndërsa ishte lumturuar nga Papa Gjon Pali në vitin 2003, pasi që Selia e Shenjtë kishte pranuar se falë ndërhyrjes së mbinatyrshme të saj, ajo kishte shëruar një grua indiane.

Në vitin e kaluar, më 17 dhjetor 2015, Papa Françesku ia njohu Nënës Terezë edhe mrekullinë e dytë, përkatësisht shërimin e jashtëzakonshëm të një të riu brazilian, më 9 dhjetor 2008.

Njohja e mrekullisë së dytë nga Selia e Shenjtë i hapi rrugë shenjtërimit të sotëm të Nënës Terezë.