Presidenti Thaçi përmbylli vizitën në Nju Jork

23 shtator 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përmbyllur vizitën e tij pesëditëshe në Nju Jork, ku ka zhvilluar takime të shumta bilaterale me krerë të shteteve dhe të organizatave të ndryshme ndërkombëtare në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, presidenti Thaçi, bashkë më Zonjën e Parë të shtetit, Lumnije Thaçi, u pritën nga çifti presidencial amerikan, presidenti Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump. I pari i vendit pati edhe një takim të shkurtër me presidentin Trump.

Kreu i shtetit ka takuar liderë botërore nga vende që e kanë njohur dhe që nuk e kanë njohur Kosovën, ku ka kërkuar mbështetje për konsolidimin e pozitës së shtetit në skenën politike globale, për njohje të reja të vendit dhe për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi ka zhvilluar takime bilaterale me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, me Ushtruesen e Detyrës së Ndihmës-Sekretares për Çështje Evropiane në Departamentin amerikan të Shtetit, Elizabeth Millard, Zëvendës-Ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në takimin e organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Mirosllav Llajçak, Mbretin Abdullah II të Jordanisë, Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, Kryeministrin e Sllovenisë, Miro Cerar, Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, Kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat, Presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, Kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina, Ministrin e Jashtëm të Singaporit, Vivian Balakrishnan, Ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ibrahim Ghandour, Sekretarin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Dr. Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen, Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, Sekretarën e Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, Michaëlle Jean, Kryeministrin e Andorrës, Antoni Martí, Presidenten e Mauricius, Ammenah Gurib, Presidentin e Gajanës, David Arthur Granger, Presidentin e Sao Tome dhe Principe, Evaristo do Espírito Santo Carvalho, Kryeministrin e Togos, Komi Sélom Klassou, Kryeministrin e Ishujve Solomon, Manasseh Sogavare, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Saint Vincent dhe Grenadines, Sir Louis Straker.