Presidenti Thaçi përkrah projektet e odave ekonomike për bashkëpunim rajonal

Prishtinë, 19 gusht 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot kryetarët e odave ekonomike të Kosovë dhe të Serbisë, Safet Gërxhaliu dhe Marko Çadezh, të cilët e njoftuan presidentin Thaçi për projektet e odave ekonomike të shteteve të rajonit rajonit për të thelluar bashkëpunimin ekonomik në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Çadezh, e informoi presidentin Thaçi për punën e Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor për të kontribuar në “Procesin e Berlinit” me projekte për bashkëpunim rajonal.

“Kemi bërë bashkë ekspertë të ndryshëm që të japin zgjidhje për problemet e ndryshme praktike, siç është telekomunikimi, shërbimet postare”, u shpreh Çadezh, i cili shtoi se po punohet në njësimin e certifikatave të prodhimeve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për të lehtësuar qarkullimin e mallrave.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Gërxhaliu, u shpreh se në thelb të kësaj nisme është angazhimi që nëpërmjet dialogut të hiqen barrierat e bashkëpunimit në mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor e më gjerë.

“Kështu do të përmirësojmë reputacionin e Kosovës por edhe të tërë rajonit, duke i bërë vendet tona më atraktive për investitorët e huaj”, ka thënë Gërxhaliu, duke sqaruar se kompanitë e mëdha botërore e shohin tërë rajonin si një treg të vetëm.

Presidenti Thaçi e mirëpriti punën e odave ekonomike të rajonit dhe u shpreh se “zakonisht, ekonomia ecën më shpejt se politika”.

“Është koha për një faqe të re në bashkëpunimin e tërë rajonit”, theksoi presidenti Thaçi.

“Do të keni gjithmonë përkrahjen tonë për projektet tuaja për të promovuar bashkëpunimin”, ka thënë presidenti Thaçi, duke përfunduar se “kemi shumë sfida, por e rëndësishme është që të mos ndalemi”.