Presidenti Thaçi: Pa luftën e drejtë të UÇK-së, Kosova s’do bëhej vend i lirë

Prishtinë, 11 prill 2018 – Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për Ditën e Dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, e cila është edhe dita e rënies së heroit Agim Ramadani, të organizuar në kuadër të manifestimit “Ditët e Shqipes”.

Kreu i shtetit ka thënë se dy ditë më parë, me nderimet më të larta institucionale u shënua përvjetori i 19-të i njërës nga betejat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asaj të Koshares.
 
“Kosova kishte hyrë në fazën vendimtare të çlirimit. Aleanca më e fuqishme ushtarake e botës, NATO, dy javë më herët kishte filluar bombardimet në caqet ushtarake dhe policore serbe. Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër shumë sprova, duke u treguar forcë e pamposhtur ushtarake dhe politike. UÇK-së iu kishin bashkuar jo vetëm pjesëtarë nga Kosova, por edhe nga trojet e tjera shqiptare dhe nga diaspora”, u shpreh presidenti Thaçi.
 
Ai tha se thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm për mobilizim iu përgjigjen të gjitha kategoritë sociale, vullnetarë të shumtë, të rinj e të reja, burra e gra, ish-oficerë e atdhetarë që kishin pritur me padurim momentin për të kontribuar për lirinë e vendit tonë.
 
“Beteja e Koshares dhe ajo e Pashtrikut treguan më së miri se UÇK-ja ishte e gatshme për operacione ushtarake frontale. Kështu u arritën dy objektiva të rëndësishme dhe historike: dëbimi i ushtrisë serbe nga kazerma dhe shembja e gurit të kufirit, që për një shekull kishte ndarë tokat shqiptare. Edhe në betejat përgjatë kufirit, në Koshare dhe Pashtrik, doli në pah një parim universal i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rënia e komandantëve në krye të betejave”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
I pari i vendit theksoi se shembulli i komandantit legjendar Adem Jashari ishte përcjellë nga komandantët Fehmi Lladrovci, Mujë Krasniqi, Ilaz Kodra, Shkëlzen Haradinaj, Agim Bajrami, derisa ky shembull u pasua pastaj edhe nga komandantët e betejës së Koshares, nga Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe Xhemajl Fetahu.
 
“Me Agim Ramadanin u takova disa herë jashtë vendit dhe në Shqipëri, para dhe gjatë luftës. Ai ishte njeri i vizionit politik, njeri i artit, shëmbëlltyra e njeriut, ishte i pa parti dhe qëndrimi i tij ishte gjithmonë i qartë: Kosova nuk çlirohej pa luftë të armatosur. Me Sali Çekajn u takova në Shqipëri. Më herët kisha dëgjuar prej miqve të përbashkët për të, ishte jurist i shquar, njeri i urtë, por shumë i vendosur dhe luftën çlirimtare e shihte pa alternativë, për çka edhe punonte natë e ditë. Kam bërë udhëtime të përbashkëta me të dhe këto kujtime i kam gjithmonë të freskëta dhe me pietet të respektuara. Xhemajl Fetahun e takoja shpesh, qysh si nxënës ai ishte i dëshmuar për liri dhe pavarësi të Kosovës. Xhemajli kudo që ishte bashkonte dhe afronte njerëzit pa dallime politike. Ai kishte qëndrim të kristaltë politik dhe vendosmëri të çeliktë për çlirimin e Kosovës. Me bashkëluftëtarin tjetër Abaz Thaçin ishim rritur në një mjedis të përbashkët. Edukim patriotik, gatishmëri për sakrificë. Prandaj nuk kishte si të ndodhte ndryshe, Abazi ra heroikisht për lirinë e Kosovës. Pikërisht ky tipar i luftës së UÇK-së e bën kuptimplotë emrin nën të cilin po shënohet ky manifestim, Ditët e Shqipes”, u shpreh presidenti Thaçi.
 
“Luftëtarët e lirisë së Kosovës ishin sa ushtarë aq edhe komandantë, sa oficerë aq edhe prijës të betejave. Këtu qëndron origjinaliteti dhe vula e veçantë e UÇK-së, te gatishmëria për sakrificë. Por, këtu qëndron edhe vlera e përgjithshme e vizionit dhe strategjisë së UÇK-së që lidh betejat e zhvilluara kudo në Kosovë”, shtoi ai.
 
Presidenti Thaçi ka thënë se Epopeja e UÇK-së në Prekaz, Epopeja e Dukagjinit në Gllogjan, betejat në Zonat Operative të Drenicës, Llapit, Pashtrikut, Nerodimes, Shalës dhe Karadakut janë tërësia e qëndresës dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një dhe e vetme.
 
“Prandaj e themi me krenarinë më të lartë të vërtetën e madhe: jemi krenarë që i përkasim brezit që themeloi, organizoi dhe zhvilloi guerilen më të suksesshme të shekullit njëzet - Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Jemi krenarë që kjo organizatë politike dhe ushtarake, me vizion dhe përgjegjësi, gjeti mbështetje tek bota demokratike”, u shpreh presidenti Thaçi.
 
Ai theksoi se pa luftën e drejtë të UÇK-së, pa sakrificën e dëshmorëve të lirisë, pa përkrahjen dhe rezistencën gjithë qytetare, pa mbështetjen e botës demokratike, Kosova nuk do të bëhej vend i lirë.
 
“Viti 2018 është vit i 19 vjetorit të çlirimit. Brenda këtij harku kohor Kosova ka shënuar transformim të jashtëzakonshëm. Një shoqëri e dalë nga shkatërrimi material, që përjetoi masakra, gjenocid dhe dëbim, u rimëkëmb me sukses brenda një periudhe të tranzicionit. Me vendosmëri dhe përkushtim, Kosova eci drejt procesit të pashmangshëm të pavarësisë”, u shpreh presidenti Thaçi.
 
Presidentit Thaçi theksoi se qytetarët tanë, institucionet dhe shteti i Kosovës, pas realizimit të objektivit themelor – çlirimit, pas shpalljes së pavarësisë, tash kanë synimin e tretë madhor, integrimet euroatlantike.