Presidenti Thaçi ngushëllon familjen Mramori, kërkon ndriçimin e shkaqeve të tragjedisë

Prishtinë, 23 qershor 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet i tronditur me tragjedinë që ka ndodhur sot në lagjen Kolovicë të Prishtinës, me ç’rast dy fëmijët e familjes Mramori humbën jetën.

Me këtë rast, presidenti Thaçi shpreh ngushëllime për familjen Mramori, duke iu bashkuar dhimbjeve të tyre në këtë ditë të rëndë.
 
“Sot bashkëndjej me familjen Mramori, me dhembjen dhe lutjet e tyre. Humbja e jetëve të fëmijëve të tyre, sikurse edhe humbja e vogëlushes Xheneta Gashi nga Prizreni, kanë tronditur çdo familje në Kosovë”, thekson presidenti Thaçi.
 
Presidenti Thaçi fton institucionet që të hetojnë shkaqet që çuan në këto dy tragjedi dhe të marrin çdo masë që të parandalohen ngjarje të tilla të dhimbshme.