Presidenti Thaçi në takim me senatoren amerikane Joni Ernst: Sa më afër të jetë Kosova NATO-s dhe BE-së, aq më pak do të kërcënohet nga ekstremizmi i dhunshëm

Prishtinë, 1 korrik 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim senatoren amerikane nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst.

Gjatë takimit, presidenti Thaçi shprehu mirënjohje për mbështetjen e jashtëzakonshme të SHBA-së dhe shtetit të Iowa-s dhënë Kosovës, duke ritheksuar se miqësia me Iowan është më e vjetër si shteti i Kosovës.

“Miqësia e Kosovës me shtetin e Iowa-s ka filluar me trupat e Gardës Kombëtare të Iowa-s që kanë marrë pjesë në kuadër të forcave paqëruajtëse në Kosovë, që nga viti 2003. Bashkëpunimi ynë u zgjerua shumë shpejt edhe në fusha të tjera”, tha presidenti Thaçi.

Ai theksoi se Kosova, përkundër sfidave që ka përpara, po vazhdon të konsolidohet si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.

“Mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë që të forcojnë demokracinë dhe qeverisjen në të gjitha nivelet. Jemi në rrugën e duhur në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve tona”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit theksoi se Kosova po zhvillon një dialog gjithëpërfshirës për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, dhe se vendi synon që sa për të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, si një parakusht për anëtarësim në NATO.

Presidenti Thaçi tha se, falë legjislacionit të hartuar dhe miratuar në Kuvend por edhe informimit dhe edukimit përmes fushatave vetëdijesuese, në dhjetë muajt e fundit nuk është shënuar asnjë rast i shkuarjes së kosovarëve në luftëra të huaja, duke shtuar megjithatë se Kosova, si të gjitha vendet e tjera, nuk është imune ndaj kërcënimit global të ekstremizmit të dhunshëm.

Nga ana tjetër, senatorja Joni Ernst tha se ka qenë kënaqësi për atë të takonte presidentin Thaçi në konsullatën e Kosovës në Iowa, duke thënë se ka qenë e angazhuar për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s qëkur Kosova kishte dërguar ushtarët e parë në këtë shtet amerikan.

Senatorja Ernst theksoi se do të angazhohet edhe personalisht përkitazi me synimet e Kosovës për t’u bërë anëtare e organizmave kryesorë ndërkombëtarë në fushën e sigurisë.

Ajo shprehu dëshirën që bashkëpunimi dhe miqësia mes Kosovës dhe Iowa-s të thellohen edhe më tej, për të mirën e përbashkët.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha se sa më afër të jetë Kosova NATO-s dhe BE-së, aq më pak do të jetë e kërcënuar nga ekstremizmi i dhunshëm.