Presidenti Thaçi në Slloveni: Kosova kthen vëmendjen nga konsolidimi ekonomik

Lubjanë, 6 qershor 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Republikën e Sllovenisë, është pritur nga homologu i tij, Borut Pahor, me ç’rast është shprehur se Kosova, pas konsolidimit në planit politik, tani ka kthyer vëmendjen nga zhvillimi ekonomik.

“Është kënaqësi që vizitën time të parë bilaterale, si president i Republikës së Kosovës, po e bëj në Slloveni. Është veçanërisht kënaqësi të jem këtu pak para se të shënoni 25-vjetorin e pavarësisë së Sllovenisë. Më lejoni që t’ju uroj të gjithëve, qytetarëve të Sllovenisë, presidentit të Sllovenisë, Qeverisë dhe Parlamentit me rastin e shënimit të kësaj date të rëndësishme për shtetin slloven”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit me presidentin slloven, Borut Pahor.

I pari i vendit theksoi se Sllovenia ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përkrahëse dhe mike e Kosovës dhe se dy shtetet gëzojnë marrëdhënie shembullore bilaterale, gjë të cilën, tha ai, e dëshmon nënshkrimi i njëmbëdhjetë marrëveshjeve për bashkëpunim politik, ekonomik dhe kulturor.

“Sllovenia është investitorja e dytë më e madhe në Kosovë. E falënderoj presidentin Pahor dhe Qeverinë e Sllovenisë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, edhe tani kur mbetemi të përkushtuar për forcimin e subjektivitetit të shtetit tonë përmes njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata shumëpalëshe ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai tha se Kosova është konsoliduar si shtet, në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm, se pjesa veriore e vendit është integruar, dhe shtoi se vendi po shënon rritje të vazhdueshme ekonomike. Po ashtu, presidenti Thaçi rikujtoi se Qeveria ka përgatitur Ligjin për Investime Strategjike, si dhe veçoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, rekomandimin për liberalizim të vizave si dhe marrjen e statusit të kandidatit për fondet e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), si dëshmi e reformave në ekonomi, politikë dhe në sundimin e ligjit.

Presidenti Thaçi theksoi se vendi është në prag të themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Thaçi theksoi se Kosova mbetet lidere në rajon për sa i përket luftimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, duke thënë se vendi e meriton anëtarësimin në Interpol.

Gjithashtu, presidenti Thaçi tha se Kosova mbetet faktor stabiliteti në rajon, gjersa dialogu me Serbinë ka reflektuar pozitivisht në mbarë Ballkanin Perëndimor.

“E ardhmja e rajonit është në NATO dhe në BE”, ka thënë Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimit me homologun e tij slloven, Borut Pahor, në Lubjanë.

Presidenti për drekë pune me kryeministrin e Sllovenisë

Presidenti Thaçi, gjatë vizitës në Slloveni, është pritur për drekë zyrtare nga kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar.

Gjatë pritjes dhe në diskutimet gjatë drekës u bisedua për mundësitë e themelimit të bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve.

Qeveria e Kosovës ka hartuar Ligjin për Investime Strategjike që do t’u mundësojë investitorëve që të realizojnë më shpejt projektet e tyre.

“Sllovenia është investitorja e dytë më e madhe në Kosovë. Ky besim është ftesë për bizneset e tjera, sllovene por edhe nga e tërë bota, që të vijnë të investojnë në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi nënshkruhet në “Librin e Artë të Qytetit të Lubjanës”

Presidentin Thaçi në Lubjanë e ka pritur edhe kryebashkiaku i Lubjanës, Zoran Jankoviq, i cili i tregoi presidentit Thaçi për sukseset e Lubjanës në përmirësimin e jetës së qytetarëve të kryeqytetit.

Presidenti Thaçi u shpreh se sikur që Sllovenia është shembull për rajonin ashtu edhe Lubjana duhet të jetë shembull për Prishtinën. Ai e përgëzoi Lubjanën për marrjen e çmimit nga Komisioni Europian si “Kryeqyteti i Gjelbër”.

Në fund, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u nënshkrua edhe në “Librin e Artë të Qytetit të Lubjanës”.