Presidenti Thaçi në Forumin e Torontos: Kosova, reformatore e suksesshme

Toronto, 14 shtator 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ishte panelist në edicionin e 10-të jubilar të Forumit Ndërkombëtar Ekonomik “Toronto Global Forum”, që po i zhvillon punimet nën patronazhin e Forumit Ndërkombëtar të kontinentit të Amerikës (IEFA).

Në forumin e titulluar “Udhëheqja në kohë të pasigurta”, para mbi 100 folësve dhe 2600 delegatëve nga mbi 40 shtete, presidenti Thaçi ka thënë se rasti i Kosovës është shumë specifik për shkak se zhvillimi i shtresës së mesme është shoqëruar me sfida të shumta.
 
Kreu i vendit ka folur për rrugëtimin e vështirë dhe rrethanat e pafavorshme nëpër të cilat kaloi Kosova që nga periudha e paraluftës, rindërtimit, sfidat e mëdha në procesin e shtet-ndërtimit, si dhe vështirësitë në zhvillimin ekonomik, posaçërisht në vitet e para të pavarësisë që përkuan me krizat më të mëdha në botë.
 
Presidenti Thaçi ka thënë se përkundër sfidave, Kosova ia doli që t’i tejkalojë të gjitha këto probleme të panumërta dhe shënoi rritjen më të shpejtë ekonomike në rajonin e Ballkanit, në shkallë prej 4 për qind të rritjes mesatare të Bruto Prodhimit Vendor.

Ai ka thënë se ishte jetike që të investojmë në siguri për të siguruar investime.
 
“Pas luftës, strategjia jonë e parë e ekonomisë politike ishte të investojmë në siguri për të siguruar investime. Ndërkohë që shumicën e energjive dhe burimeve i kishim të orientuara në rindërtim dhe në fushën e sigurisë, ne u fokusuam edhe në reformat e ekonomisë së tregut me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, në reformat fiskale me uljen e tatimeve dhe heqjen e tyre për shtresat e varfra. Gjithashtu, u përqendruam edhe në reformat arsimore dhe edukative, me krijimin e kushteve për shkollim pa pagesë dhe libra falas, në reformat në shëndetësi dhe në rritjen e pagave për tërë sektorin publik”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
Njëkohësisht me këto reforma, presidenti Thaçi ka thënë se për zbutjen e diferencimeve sociale dhe zbutjen e papunësisë janë rritur investimet edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëqenies për banorët e zonave rurale.
 
“Kosova u bë prijëse në fushën e reformave dhe tani arritëm ta nënshkruajmë edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në”, ka thënë presidenti Thaçi, duke i ftuar investitorët e pranishëm që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë.
 
Ai ka theksuar se Kosova ka pasur një periudhë të rëndë tranzitore, por prej vitit 2008 janë shënuar hapa të mëdhenj për zhvillimin e shtresës së mesme.