Presidenti Thaçi nderon intelektualin Haki Imeri dhe bën homazhe te varri i tij

Turiqec, 18 janar 2017 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka bërë homazhe te varri i Haki Imerit në fshatin Turiqec të Skënderajt.

Presidenti Thaçi ka thënë se familja Imeri, në Vojnikë, që në fillet e UÇK-si ishte bërë bazë.
 
Kreu i shtetit tha se njëri nga pjesëtarët e saj, Imer Imeri, gjatë qëndrimit në Gjermani, si punëtor ishte lidhur me krerët e lëvizjes patriotike, gjegjësisht me atdhetarin e shquar, shkrimtarin dhe gazetarin Jusuf Gërvalla.
 
Nën patronatin e presidentit Thaçi, në shenjë nderimi për Haki Imerin, në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Abedin Rexha” në Turiqec, u organizua edhe një Akademi Përkujtimore.
 
Hakiu, si një intelektual i ri, profesor i formuar dhe edukuar me frymë patriotike, presidenti Thaçi tha se ishte pjesë e aktiviteteve patriotike të kohës.
 
“U shqua si pedagog dhe si njeri i urtë dhe i dashur në shkollën e vendlindjes dhe në Turiqec”, u shpreh ai.
 
Presidenti Thaçi theksoi se Hakiu ishte aktiv edhe në lëvizjen popullore të pajtimit të gjaqeve. Kurse, me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hakiu dhe shumë anëtarë të tjerë të familjes Imeri, i ishin bashkuar luftës për liri dhe çlirim.
 
“Sot, vetëm kjo familje numëron nëntë veteranë. Janë këta burra dhe djem që me krenari bartin krahas statusit të veteranit edhe emrat me domethënie sa kuptimplote aq edhe patriotike”, u shpreh presidenti Thaçi.
 
Edhe të parët e tij, që nga Ymer Binaku e këtej, presidenti Thaçi theksoi se ishin krah për krah me kryengritësit e lëvizjes kaçake, lëvizje e cila kishte rrënjët në luftën kundër sundimit të Perandorisë Osmane në fillim të shekullit njëzet, për të vazhduar kundër pushtimit serb që nga lufta e parë dhe e dytë ballkanike.
 
Krahas trimave si Azem Bejta, Shotë Galica, Ahmet Delia, Shaqir Smaka, Miftar Dauti dhe shumë e shumë të tjerëve, presidenti tha se ishte edhe Ymer Binaku, gjyshi i Imer Imerit, që asnjë ditë nuk i lanë të qeta dhe të sigurta forcat serbe.
 
“Familja Imeri nuk e ndali rezistencën as gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në ditët më të vështira, pjesëtari tjetër i kësaj familjeje, Tahir Ymer Binaku u radhit me forcat rezistuese të komandantit Shaban Polluzha. Këta kryengritës u identifikuan me fatin e popullit të tyre”, shtoi ai.
 
Presidenti Thaçi u shpreh se Drenica dhe mbarë Kosova, edhe në periudhën e gjatë të administrimit jugosllav, asnjëherë nuk e ndalën qëndresën.
 
“Madje, duke qenë e diskriminuar në mënyrë specifike, Drenica e ruajti të gjallë traditën e luftës çlirimtare të Azem Bejtës e Hasan Prishtinës, të Shaban Polluzhës e Fazli Greçevcit, të Tahir e Nebih Mehës. Flijimi dhe sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari, Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin ngjarje që i dhanë vrull të ri përpjekjeve tona shekullore për liri dhe çlirim”, theksoi presidenti Thaçi.
 
Kosova ka kaluar me sukses të gjitha fazat e historisë, por sipas presidentit Thaçi, për realizimin e idealit të lirisë dhe çlirimit u sakrifikuan shumë breza.
 
“Për Kosovën e lirë dhe të pavarur u flijuan mijëra dëshmorë. Për Kosovën shtet demokratik dhe sovran u sakrifikuan mijëra martirë. Pa sakrificën dhe mundin e çdo qytetari ne nuk do të ishim të lirë”, u shpreh presidenti.
 
Sot kur nderojmë Haki Imerin, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova ka hyrë në vitin e 17-të të çlirimit dhe të 9-të të pavarësisë.
 
“Rruga e Kosovës prej përpjekjeve për çlirim e deri te fazat e shtetndërtimit është tregim i suksesshëm”, shtoi ai.
 
Presidenti po ashtu tha se të gjithë së bashku si qytetarë dhe si institucione kanë obligim dhe mision ndërtimin e një Kosove moderne, ku të gjithë njerëzit të ndjehen krenarë.
 
“Krenarë me të kaluarën e lavdishme. Krenarë me ardhmërinë e ndritshme”, tha ai.
 
Intelektualin, pedagogun dhe veprimtarin e dalluar, Haki Imeri, presidenti Thaçi e dekoroi edhe me urdhrin “Hero i Kosovës”.
 
Presidenti Thaçi përfundoi se duhet të punohet edhe më shumë që ideali për të cilin u sakrifikuan të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët të institucionalizohet.