Presidenti Thaçi ndau diplomën e parë të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”

Mitrovicë, 19 maj 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar sot Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, ku u prit nga rektori i këtij institucioni të lartë arsimor, Alush Musaj.

Presidenti Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, dhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcılar, fillimisht takoi drejtuesit dhe profesorët e këtij universiteti.

I pari i vendit së bashku me dy ministrat inspektoi punimet në kampusin e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, të cilin e cilësoi si njërin prej universiteteve më bashkëkohore në Kosovë.

“Tani ky universitet po zbaton kriteret dhe standardet më të larta të arsimimit. Ka marrë një vlerësim shumë të lartë edhe nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, nga ekspertë ndërkombëtarë. Prandaj kjo është një nxitje edhe më shumë për neve që të investojmë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai tha se ndjehet mirë që tashmë ka filluar edhe ndërtimi i hapësirës së re moderne të rektoratit të këtij universiteti.

Krahas reformave jashtëzakonisht të rëndësishme në arsim, presidenti Thaçi tha se universiteti “Isa Boletini” ofron një program me drejtime krejtësisht të veçanta që e bëjnë atë edhe më të fuqishëm dhe më atraktiv për të rinjtë për të ardhur për të studiuar në Mitrovicë.

Me rastin e vizitës në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndau edhe diplomën e parë që nga themelimi i këtij institucioni arsimor.

“Dua të besoj se me këtë ritëm të punëve dhe të angazhimeve, 1 tetori i këtij viti do të jetë një ditë feste këtu në qytetin e Mitrovicës, ku i tërë stafi akademik dhe studentor do të bartet në këtë kampus të ri, modern të Universitetit të Mitrovicës, prandaj uroj rektorin, të gjithë dekanët, profesorët, studentët dhe gjithë qytetarët e Mitrovicës për këtë sukses të ri”, tha në fund presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, rektori i universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, theksoi se vizita e presidentit Thaçi dhe përfaqësuesve qeveritarë është një vazhdim i mbështetjes për universitetin.

“Jemi të nderuar me vizitën e presidentit Thaçi. Ne e shohim këtë si një mbështetje të vazhdueshme nga presidenti dhe qeveria. Tani do të fokusohemi në cilësi. Po krijohen standarde evropiane”, ka paralajmëruar Musaj.

Universiteti publik në Mitrovicë tashmë ka mbi 3500 studentë nga e gjithë Kosova.