Presidenti Thaçi mori pjesë në debatin me temën: "Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”

Prishtinë, 09 tetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë sot pjesë në debatin me temën: "Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”, organizuar nga OJQ-të, Integra, CPT, PAX.
Me këtë rast, presidenti Thaçi  ka thënë se siç tregojnë edhe të gjeturat e hulumtimit, ekzistojnë keqinformata, pritje joreale, dezinformata të qëllimshme për atë se çfarë është dhe çfarë do të sjellë Gjykata Speciale. 
 
“Në rrethana të tilla vështirë se Gjykata Speciale do të mund të arrijë të bëjë atë që synon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës, por edhe për të gjithë ata që janë të angazhuar dhe vazhdojnë të angazhohen për drejtësi dhe barazi para ligjit për të gjithë”, ka shtuar ai.
 
Presidenti në këtë debat ka thënë se janë bërë gati dy dekada që ka përfunduar lufta në Kosovë, por shumë plagë nga lufta mbesin të hapura. 

Ai ka kujtuar brengat e familjeve me personat e pagjetur, që ende nuk  kanë gjetur prehje, ka kujtuar viktimat e dhunës seksuale që vetëm tani kanë pranuar të njihen si viktima dhe të kuptohen vuajtjet e tyre. 
 
Sipas tij,  kjo vlen edhe për familjet e viktimave që ende nuk kanë marrë drejtësi për vuajtjet që u janë shkaktuar. Presidenti ka thënë se janë pesë mekanizma që kanë vepruar në Kosovë tashmë dy dekada me mandat ekzekutiv ndërkombëtar, pesë mekanizma të drejtësisë. 
 
“Drejtësia e UNMIK-ut apo gjyqet e UNMIK-ut, atë të EULEX-it, Tribunali i Hagës, EULEX-i dhe tani Gjykata Speciale. Diçka që Kosovën e bënë të veçantë në Ballkanin Perëndimor, nga vendet që kanë qenë të përfshira në luftë, nga Kroacia, Bosnja, dhe nga nxitësi, inspiruesi dhe kryerësi i të gjitha këtyre veprimeve shteti i Serbisë”, ka thënë ai.
 
Presidenti ka theksuar e përkundër tërë përpjekjeve ende ka ndjenjë se nuk është bërë mjaftë drejtësi. Sipas tij, pritjet joreale për Gjykatën Speciale mund të zbehin përpjekjet e saj siç e theksoni edhe ju në të gjeturat tuaja. 
 
“Rrjedhimisht, kjo do të zbehë besimin në tërë sistemin e drejtësisë kosovare e atë ndërkombëtare”, ka thënë ai. 
 
Megjithëkëtë, presidenti Thaçi ka thënë se Gjykata Speciale nuk është disavantazh, por është një avantazh për Kosovën. 
 
“Shpesh thuhet se mbi Kosovën qëndron një re e zezë të cilën duhet ta largojmë. Të jemi të qartë, atë re të zezë e ka krijuar Serbia, dhe askush më mirë se kosovarët nuk mund ta largojnë atë re të zezë. Pra, Gjykata Speciale është një mundësi për të forcuar ndjenjën e drejtësisë në Kosovë, e ritheksoj ndjenjën e drejtësisë”, ka thënë ai.
 
Presidenti ka thënë lufta e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës ka qenë e drejtë dhe legjitime. Ai ka thënë se synimi i institucioneve të Kosovës duhet të jetë që të punojmë të gjithë bashkërisht, shqiptarë, serbë, të gjitha institucionet, shoqëria civile, media etj.
 
T’i japim mbështetje të gjithë drejtësisë, të punojmë që kjo çështje të ndihmojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por edhe të ndikoj që sa më shpejt të ndodhë ngadhënjimi i procesit të Komisionit që kemi iniciuar për të Vërtetën dhe Pajtimin Ndëretnik në Republikën e Kosovës, ka shtuar ai.