Presidenti Thaçi mori pjesë në debat të hapur me shoqërinë civile për Ushtrinë e Kosovës

Prishtinë, 14 mars 2017 - Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në debatin e hapur me shoqërinë civile në tryezën me temën “Misioni ushtarak për FSK-në, rruga përpara”, e organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung dhe Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë.

Presidenti Thaçi tha se debati i sotëm vjen në kohën e duhur, sepse në kuadër të transparencës dhe gjithëpërfshirjes e kemi për detyrë edhe të informojmë saktë dhe drejtë qytetarët e Kosovës me hapat që do të ndërmerren për arritjen e këtij qëllimi.
 
Presidenti tha se është e rëndësishme të sqarojmë të gjitha fazat e vendimmarrjes, deri në përmbylljen me sukses të kësaj iniciative ligjore, e cila për nga rëndësia shtetërore konsiderohet të jetë e interesit thelbësor për funksionimin demokratik të shtetit tonë.
 
“Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë faktor i ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon, por ajo do të jetë e gatshme të kontribuojë edhe përtej rajonit, në botë, sa herë që Kosovës i kërkohet të kontribuojë. Transformimi i FSK-së bëhet në bazë të analizës së përpiluar në kuadër të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë që e përcakton transformimin e FSK-së si objektiv me prioritet”, u shpreh presidenti Thaçi.
 
Ai theksoi se në grupet punuese për hartimin e dokumentit bazë kanë qenë të angazhuar të gjithë protagonistët e sektorit të sigurisë në Kosovë.
 
“Aspiratën për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës e kemi bërë të njohur për të gjithë që një kohë të gjatë. Këtë aspiratë tonën e kanë përkrahur edhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, theksoi presidenti Thaçi.
 
Që nga themelimi i FSK-së, NATO dhe shtetet tjera mike të Kosovës, si SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe shtete tjera, presidenti Thaçi tha se kanë bashkëpunuar me FSK-në për të ngritur nivelin e përgatitjes së saj në një forcë profesionale të standardeve të NATO-s.
 
“FSK-ja i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe detyrat që i jep korniza e tashme ligjore që rregullon funksionimin e saj. Tani janë krijuar kushtet që ajo të lëvizë tutje në rritjen e saj. FSK tani është e gatshme për transformim, që të bëhet ushtri”, u shpreh presidenti Thaçi.
 
Rruga jonë e preferuar e transformimit të FSK-së, ajo për të cilën kemi punuar tërë këto vite, presidenti Thaçi tha se ka qenë dhe mbetet ajo përmes ndryshimeve që përfshijnë edhe amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Por, sipas presidentit, deputetët e Listës Serbe e kanë bërë të qartë shumë herë se janë të penguar nga Beogradi që të përkrahin transformimin e FSK-së.
 
“Deri sa i gëzohemi mundësisë që të konsultohemi dhe të koordinohemi me të gjitha palët në Kosovë, megjithatë nuk mund të pranojmë që të konsultohemi dhe të koordinohemi për çështjet e interesit strategjik dhe të sovranitet të vendit tonë me Serbinë. Edhe pse kemi nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe jemi duke kërkuar që ky proces të marrë kualitet të ri, që do ta kthejë në proces për pajtim, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, megjithatë Serbia ndaj Kosovës ruan të njëjtat politika që kanë shkaktuar luftë dhe gjenocid”, tha presidenti Thaçi.
 
Ai shtoi se Serbia ende nuk është një partner konstruktiv, qoftë me Kosovën, qoftë me rajonin, por është burim i nacionalizmit që përjetohet si kërcënim për tërë rajonin.
 
“Dëshmi të fundit për këtë janë provokimi me tren, ai me murin në Mitrovicë, manovrat ushtarake afër kufirit me Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi.
 
Sipas tij, këta janë hapa krejtësisht në kundërshtim edhe me synimet e bashkësisë ndërkombëtare në rajonin tonë dhe nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë, madje as me arsyetimin se Serbia është në fushatë elektorale.
 
“Unë jam krejtësisht i vetëdijshëm se siguria dhe ruajtja e sovranitetit të Kosovës në rend të parë varet nga bashkëpunimi ynë i ngushtë me Aleancën Veriatlantike, pra NATO-n. Mirëpo, gjithashtu e kemi për detyrë kushtetuese që të ndërtojmë kapacitetet e domosdoshme mbrojtëse për të ruajtur sovranitetin tonë”, shtoi presidenti Thaçi.
 
Ai theksoi se Kosova do të ruajë me çdo kusht partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht partneritetin dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Ky partneritet, sipas presidentit Thaçi, është ndërtuar mbi interesat e përbashkëta për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, mbi vlera e parime të njëjta që ndajmë me SHBA-në dhe me BE-në.
 
Presidenti Thaçi u shpreh se transformimi i FSK-së do të jetë proces që do të zhvillohet gradualisht dhe ashtu siç jemi koordinuar deri tani, deri në detaje, me bashkëpunëtorët dhe përkrahësit tanë, të njëjtën do të vazhdojmë të bëjmë edhe tani dhe në të ardhmen.
 
“Unë si president e kam për detyrë që të sigurohem që Kosova të thellojë bashkëpunimin me NATO-n, sepse anëtarësimi në këtë organizatë ushtarake është qëllim thelbësor i yni. Për më tepër, e kam për detyrë që të thellojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse vetë ekzistenca dhe funksionimi i shtetit tonë është rezultat i përpjekjeve tonë të përbashkëta. Prandaj, kam kërkuar mirëkuptimin e plotë të partnerëve tanë për këtë proces, i cili nuk është bërë njëanshëm, por është iniciuar në mënyrë krejt të natyrshme dhe transparente”, theksoi presidenti Thaçi.
Ashtu sikurse ka pritur, presidenti Thaçi tha se projektligji për ushtrinë e Kosovës e ka unifikuar spektrin politik të Kosovës dhe e ka forcuar besimin e qytetarëve të Kosovës në vendosmërinë tonë për të marrë vendime në interes të tyre dhe të shtetit tonë.
 
Në fund, presidenti Thaçi shprehu bindjen e tij se të gjithë protagonistët politikë të përfshirë në këtë proces do të jenë në nivel të detyrës dhe me përkushtim do të bëjnë punën e tyre për përmbylljen me sukses të këtij procesi.