Presidenti Thaçi me shefen e re të EULEX-it flasin për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë

Prishtinë, 2 shtator 2016 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim edhe shefen e re të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

Me shefen e EULEX-it, kreu i shtetit ka diskutuar për bashkëpunimin e mirë të institucioneve të Kosovës me EULEX-in, për shtimin e kapaciteteve të reja dhe për sfidat e institucioneve të drejtësisë.

“Bashkëpunimi me institucionet dhe puna e mirë e EULEX-it kanë bërë që deri më tani ky mision të ketë shumë suksese në Kosovë. Falë mbështetjes së EULEX-it edhe institucionet tona të drejtësisë janë fuqizuar dhe kanë rritur kapacitetet e tyre të punës”, është shprehur presidenti Thaçi.

Ndërsa, shefja e re e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, tha se EULEX do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës dhe brenda përgjegjësive që ka gjithnjë do t’i mbështes ato.

“Kosova ka qenë dhe mbetet e përkushtuar në konsolidimin e sundimit të së drejtës”, theksoi presidenti Thaçi.

Shefen e re të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, presidenti Thaçi e uroi edhe për detyrën e saj të re në Kosovë.