Presidenti Thaçi: Kosova duhet të përfshihet në mekanizmat ndërkombëtar antikorrupsion

Prishtinë, 14 nëntor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim kreun e Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë, Shaip Havollin.

Në këtë takim, presidenti Thaçi theksoi se Agjencia Kundër Korrupsionit është një prej mekanizmave më të fuqishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prandaj nevojitet një bashkëpunim edhe më i madh i të gjitha institucioneve dhe autoriteteve hetuese e prokuroriale, me këtë institucion.

“Kemi progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por gjithnjë ekziston mundësia që të bëhet edhe më shumë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, e ka informuar presidentin Thaçi për angazhimin e tij prej marrjes së kësaj detyre të re.

Havolli ka thënë se agjencia po angazhohet maksimalisht për zbatimin e ligjit dhe për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit në vend.

Presidenti Thaçi dhe kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë biseduan edhe për shtimin e përpjekjeve, që Kosova të përfshihet në mekanizmat ndërkombëtar antikorrupsion.

“Kosova duhet të përfshihet në mekanizmat ndërkombëtar antikorrupsion”, ka thënë presidenti Thaçi.