Presidenti Thaçi: Kosova dhe Ballkani Perëndimor nuk kanë alternativë veç BE-së

Bruksel, 9 qershor 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një ligjeratë publike në “Këshillin Evropian për Punë të Jashtme” (EFCR), ku ka folur për të arriturat dhe sfidat e Kosovës dhe të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Nuk ka dyshim që Bashkimi Evropian është në një udhëkryq të madh. BREXIT, vala e refugjatëve nga Azia dhe Afrika, ekspansioni i ri rus që ka shkaktuar krizat si ajo në Ukrainë, kërcënimet që vijnë nga radikalizmi – politik dhe fetar, terrorizmi... lista e shqetësimeve është bukur e gjatë për kontinentin tonë. Por, ku ndodhet Kosova në tërë këtë?”, e nisi prezantimin e tij presidenti Thaçi.

“Para 10 viteve, Kosova ende po diskutonte me bashkësinë ndërkombëtare të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen e saj politike. Për vetëm tetë vite si shtet, Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që tanimë ka filluar të zbatohet. Kemi marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe presim që këtë vit edhe qytetarët e Kosovës, më në fund, të lëvizin të lirë në zonën Schengen. Jemi bërë anëtare e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) të Kongresit Amerikan, pasi kemi përmbushur kritere strikte të reformave në ekonomi, në politikë dhe në drejtësi”, u shpreh presidenti Thaçi.

Tutje, presidenti Thaçi numëroi të arriturat e Kosovës në ekonomi, duke veçuar sektorin stabil bankar dhe borxhin publik më të ulët në rajon. Duke folur për progresin në fushën drejtësisë, presidenti Thaçi theksoi se “Kosova ka pasur fat të ketë gëzuar mbështetje të fuqishme ndërkombëtare në ndërtimin e organeve të drejtësisë” dhe se “falë punës në ngritjen e kapaciteteve, organet e drejtësisë kanë ndërmarrë hapa për të luftuar krime serioze”.

“Janë arrestuar dhe janë gjykuar edhe zyrtarë të lartë për përfshirje në krim dhe korrupsion”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke folur për dialogun, i pari i vendit tha se falë dialogut me Serbinë, janë shënuar suksese edhe në integrimin e pjesës veriore të Kosovës.

“Kemi organizuar zgjedhjet në përputhje me ligjet e Kosovës dhe qytetarët tanë që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës kanë zgjedhur liderët e tyre legjitimë. Ata që dikur ishin në barrikada, sot janë pjesë e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën politike, në Kuvendin e Kosovës, në Qeverinë e Kosovës si ministra, në komunë si kryetarë komunash apo si këshilltarë”, theksoi presidenti Thaçi.

Në ligjëratën e tij në ECFR, presidenti Thaçi tha se komunikimi tani është normalitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe shtoi se tani është koha për një hap të ri, atë të ndërtimit të besimit mes popujve dhe shteteve por edhe ndërmjet rajonit të Ballkanit dhe BE-së.

“Është e rëndësishme që rajoni të ruajë besimin në idenë e BE-së dhe në aspiratën për anëtarësim në BE”, u shpreh presidenti Thaçi, i cili shtoi se “nëpërmjet dialogut konstruktiv që rajoni duhet të ketë me BE-në, do të jemi në gjendje që të dëshmojnë se pse Evropa nuk është e plotë pa pasur në gjirin e saj edhe Ballkanin Perëndimor. Por, nëpërmjet dialogut edhe t’i tregojmë BE-së se çfarë vlera sjell Kosova, por edhe Ballkani Perëndimor, në këtë bashkësi të popujve dhe shteteve.”

“Kosova, si dhe mbarë rajoni, është shumëetnike dhe shumëfetare. Vërtetë kemi shumicë që i përket fesë islame. Por është ky një islam evropian, që promovon tolerance, bashkëjetesën dhe paqen, ashtu siç ka bërë për shekuj të tërë. Kjo vlerë e Kosovës dhe e rajonit, është vlerë edhe për Evropën”, tha presidenti Thaçi.

“Është e rëndësishme që BE të mbetet e angazhuar në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit. Vonesat e BE-së që t’i shtrijë dorën Ballkanit Perëndimor u hapin rrugë ideologjive të tjera, nacionaliste apo fetare”, sqaroi presidenti Thaçi.

“Kosova është një rrëfim suksesi, por nuk është ende storie e përfunduar. Kemi edhe shumë rrugë për të bërë, por jemi në rrugë të drejtë”, përfundoi presidenti Thaçi.

Pas prezantimit të tij, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve, të cilët u interesuan për zhvillimet edhe në vendet fqinje të Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se është me rëndësi që përkundër problemeve që kanë vendet e rajonit, që të gjitha janë të përcaktuara që të bëhen anëtare të BE-së dhe se BE-ja është “motori” i ndryshimeve pozitive në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

ECFR është “think-tank” i njohur me seli në Bruksel që merret me përpilimin e raporteve dhe analizave për BE-në dhe rolin e BE-së në marrëdhëniet ndërkombëtare. Anëtarë të Bordit të ECFR janë, ndër të tjerë, edhe Martti Ahtisaari, Javier Solana dhe Joschka Fischer.