Presidenti Thaçi: KFOR ka forcuar paqen në Kosovë dhe tërë rajonin

Prishtinë, 15 nëntor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë sot pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it nga Gjeneralmajori, Giovanni Fungo te Gjeneralmajori, Salvatore Cuoci.

Në fjalën e tij, presidenti Thaçi ka falënderuar gjeneralmajorin, Giovanni Fungo për punën e tij për të forcuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë, derisa i ka uruar sukses komandantit të ri të KFOR-it, Salvatore Cuoci.

Sipas tij, koha kur ka shërbyer si komandant i KFOR-it, gjenerali Fungo ka qenë kohë e zhvillimeve të rëndësishme në Kosovë.

Presidenti ka thënë se në këtë kohë, Kosova ka mbajtur dy palë zgjedhje të suksesshme dhe ka vazhduar procesin e integrimit të plotë të pjesës veriore të Kosovës në shtetin e Kosovës.

“Këto dy procese i kemi përmbyllur me sukses, por gjatë realizimit të tyre jemi përballur me sfida të mëdha që kanë kërcënuar edhe sigurinë në Kosovë. Angazhimi i KFOR-it, me vendosmëri por edhe me kujdes, ka kontribuar në evitimin e çfarë incidenti apo dhune”, ka shtuar Presidenti.

Ai është shprehur mirënjohës për tërë forcën e KFOR-it, të gjithë ushtarëve që kanë shërbyer dhe shërbejnë në të. Presidenti ka thënë se KFOR-i vazhdon të gëzojë besimin më të lartë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Siç e kam thënë edhe vitin e kaluar, KFOR-i në Kosovë jo vetëm ruan paqen por edhe e ndërton paqen. E duke e forcuar paqen në vendin tonë, ndërton paqe në tërë rajonin e Ballkanit”, ka theksuar ai.

Presidenti ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun me Serbinë dhe kërkojmë një marrëveshje të re që do të shtrojë rrugën për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka folur edhe për FSK-në, Presidenti ka theksuar se duke iu falënderuar bashkëpunimit me KFOR-in dhe NATO-n në përgjithësi, FSK-ja sot është një forcë profesionale, multietnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Këtë të hënë mora pjesë në ceremoninë e gradimit të pesë nënoficerëve të ri të FSK-së, që të gjithë nga komunitetet jo-shumicë. Është ky edhe një hap tjetër drejtë përmbushjes së aspiratës sonë për një forcë profesionale. FSK tani është e gatshme për kompetenca të reja dhe për mision të ri”, ka shtuar ai.

Presidenti në fund ka dekoruar gjeneralin, Fungo me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.