Presidenti Thaçi: KFOR-i jo vetëm që ruan paqen, por edhe ndërton atë

Prishtinë, 1 shtator 2016 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, nga gjenerali Guglielmo Luigi Miglietta tek gjenerali Giovanni Fungo.

Presidenti Thaçi falënderoi komandantin e deritashëm dhe tërë KFOR-in për punën dhe angazhimin e tyre në ruajtjen dhe forcimin e paqes në Kosovë dhe në rajon.
 
“KFOR-i vazhdon të mbetet organizata që gëzon besimin më të madh të qytetarëve të Kosovës. Kjo nuk është e rastësishme. Është rezultat i punës profesionale, të paanshme, të suksesshme që trupat e KFOR-it kanë bërë gjatë tërë këtyre viteve”, u shpreh presidenti Thaçi.
 
Ai shtoi se kjo punë nuk është aspak e lehtë.
 
“KFOR-i mbron kufijtë e jashtëm të Kosovës, por edhe përkrah Kosovën përbrenda. KFOR-i ofron ndihmë humanitare të gjithanshme për të gjitha komunitetet. KFOR-i përkrah shkollat, spitalet, organizatat joqeveritare, mediat. KFOR-i mbështet drejtpërdrejt çdo qytetar të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo rajonin ku ata jetojnë. Pra, KFOR-i në Kosovë jo vetëm që ruan paqen, por edhe ndërton paqen”, tha presidenti Thaçi.
 
“Mbi këto parime është ndërtuar edhe miqësia jonë, e qytetarëve të Kosovës dhe KFOR-it”, shtoi ai.
 
Presidenti Thaçi vlerësoi lart edhe punën e gjeneralmajorit Miglietta.
 
“Si një ushtarak që ka shërbyer edhe më herët në Kosovë dhe në rajon, gjeneralmajori Miglietta e dinte sa e rëndësishme është që të mbahet komunikimi i mirë me qytetarët. Nëpërmjet këtij komunikimi jepen më fortë se në çfarëdo mënyre tjetër mesazhet e paqes, të pajtimit, të bashkëpunimit, mesazhe që tregojnë se të gjithë kemi përgjegjësi për të ndërtuar jetë më të mirë në rajon. Prandaj, për angazhimin e tij, i themi një faleminderit të madhe dhe të sinqertë”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
Për punën e tij në Kosovë, për thellimin e besimit dhe të përkrahjes për të gjithë banorët e Kosovës, në fund presidenti Thaçi e dekoroi gjeneralmajorin Miglietta edhe me Medaljen Ushtarake të Presidentit të Kosovës.