Presidenti Thaçi hapi konferencën e pestë ndërfetare ndërkombëtare në Kosovë

Prishtinë, 31 maj 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovoës, Hashim Thaçi, ka hapur sot konferencën e pestë treditore ndërkombëtare ndërfetare me temë “Roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit”, e cila po organizohet në kuadër të nismës Interfaith Kosovo, në Prishtinë.

Kjo ngjarje e nivelit të lartë, që sivjet organizohet nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, ka një agjendë unike me disa pika kryesore, si:
•  Fjalimet kryesore nga dy laureate të Çmimit Nobel për Paqe, Dr. Shirin Ebadi (fituese nga Irani, në vitin 2003) dhe Tawakkol Karman (fituese nga Jemeni, në vitin 2011);
•  Ceremonia inauguruese për dhënien e çmimit të Kosovës për dialogun ndërfetar, i cili i jepet Kryetarit të Londrës, Sadiq Khan, si dhe themeluesit të komunitetit Sant’Egidio, ipeshkvit Vincenzo Paglia;
•  Panelet dhe punëtoritë do të përbëhen nga pjesëmarrës nga organizata botërore ndërfetare, si Fondacioni i Besimit “Tony Blair Faith Foundation”, “Instituti Salam për Paqe dhe Drejtësi”, pastaj nga Fondacioni Berghof, Gratë pa Kufij (Women ëithout Borders), Qendra Doha për Dialog Ndërfetar, etj.
 
Konferenca mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNDP, UN Women, Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Kosovë, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Kanadeze në Kroaci – jorezidente për Kosovë, si dhe Fondacioni i Besimit “Tony Blair Faith Foudnation”.
 
Konferencat ndërkombëtare ndërfetare të mbajtura në Kosovë janë ngjarje të mëdha të nismës Interfaith Kosovo që mbledhin aktivistë të shoqërisë civile, liderë fetarë, diplomatë, gazetarë, artistë dhe akademikë për të diskutuar një gamë të gjerë të sfidave me të cilat përballen vendet në sigurimin e pajtimit në periudhat dhe zonat pas konfliktit, si dhe për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në shoqëritë e sotme bashkëkohore.

Kjo ngjarje drejtohet nga ministri i Jashtëm në detyrë  i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi.

Në vijim ju sjellim fjalimet e plota të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të laureates të Çmimit Nobel për Paqe, Dr. Shirin Ebadi, me rastin e hapjes së konferencës së pestë ndërkombëtare ndërfetare në Prishtinë.
 
Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Konferencën e Pestë Ndërkombëtare Ndërfetare në Kosovë

Prishtinë, 31 maj 2016

Shumë të nderuar mysafirë të Konferencës së Pestë Ndërfetare në Kosovë,

Të nderuar ministra, ambasadorë, prijës fetarë,

Ju përshëndes posaçërisht juve Dr. Ebadi dhe zonja Karman,

Është hera e parë që Kosova është nikoqire e dy nobelisteve të paqes dhe kam nderin që sot të ju përshëndes si president i vendit dhe të ju uroj për kontributin e madh që keni dhënë në vendet tuaja por edhe në botë për mesazhin e paqes, dialogut dhe për afirmimin e rolit të gruas në kundërshtimin e të gjitha formave të diskriminimit dhe urrejtjes.

Sot këtu jeni 300 mysafirë të pranishëm në këtë dhomë, por edhe mijëra të tjerë që po na shikojnë në kanalet televizive dhe dhjetëra mijëra të tjerë që do të ndjekin mesazhet e kësaj konference në rrjete sociale, do të jeni dëshmitarë të një diskutimi të thellë për çështje shumë të rëndësishme që po brengosin jo vetëm Kosovën, por edhe kontinentin europian e edhe më gjerë. Janë çështje këto shumë bazike por me implikime shumë të thella për sigurinë tonë, për sigurinë e fëmijëve tanë dhe për mirëqenien dhe progresin e tërë njerëzimit:

Si mund të luftojmë interpretimin ekstremist të dashurisë ndaj Zotit?

Si mund të angazhojmë të gjitha shtresat e shoqërisë, jo vetëm meshkujt dhe jo vetëm të moshuarit në një dialog të ri mbarëshoqëror për një pajtim për vlerat pozitive, të dashurisë ndaj njëri-tjetrit?

Si mund të krijojmë një platformë bashkëpunimi, t’i lidhim pikat e largëta me vija të holla. Si mund të krijojmë një arkipelag të bashkëpunimit nga ishujt e izoluar të aktivistëve qytetarë?

Këto pyetje kanë shumë rëndësi sidomos këtu, në atdheun tonë të Kosovës, ku eksperienca jonë tragjike e viteve të shkuara ka dëshmuar se në mungesë të respektit ka pasur shtypje në emër të politikave ekstremiste në baza etnike dhe fetare, pra para 17-18 viteve. Në mungesë të dialogut, ka pasur luftë. Në mungesë të  mirëkuptimit për të ardhmen e përbashkët, ka pasur fokusim në histori të moçme të urrejtjes dhe hakmarrjes.

Kosova është vend i përshtatshëm për të diskutuar këto tema edhe për një arsye tjetër: se përkundër tragjedisë së luftës të cilën e kemi përjetuar, përkundër mijëra të vrarëve dhe dhjetëra mijëra grave të dhunuara dhe qindra mijëra shtëpive të djegura, ne megjithatë kemi ruajtur shpirtin e tolerancës dhe përkushtimin ndaj dialogut.

Jemi në mes të Europës, më pak se dy orë larg nga Vjena, Roma por edhe Stambolli dhe dëshiroj të ju rikujtoj fjalët e Papa Françeskut që i tha para disa javësh në Bruksel kur e mori Çmimin Sharlemanjë: “Fytyra e vërtetë e Europës nuk qëndron tek konfrontimi, por në pasuritë e kulturave dhe në bukurinë e përkushtimit ndaj mendjes së hapur. Pa këtë kapacitet për integrim, fjalët e Konrad Adenauerit na dalin profetike: “E ardhmja e Perëndimit nuk rrezikohet nga tensionet politike por nga rreziku i konformizmit, mendimet dhe ndjenjat e njëtrajtshme dhe nga ikja prej përgjegjësisë duke u brengosur vetëm për vetveten”.

Ati i Shenjtë i foli këto fjalë duke shprehur brengosje për Europën dhe duke mbrojtur diversitetin e mendimeve, feve, ideologjive, kombësive.

Këto vlera na drejtojnë edhe neve këtu në shtetin e ri, në Kosovë. Pasi që përfunduam luftën e përgjakshme, filluam ta ndërtojmë një shtet të bazuar në koncept qytetar, ku i vogli është i mbrojtur nga i madhi, dhe ku përkatësia identitare nuk e përkufizon cilësinë e jetës apo të të drejtave të njeriut.

Tema e sivjetme e Konferencës Ndërkombëtare Ndërfetare është roli i Gruas në Promovimin e Dialogut Ndërfetar. Mendoj se mu ky vit është shumë i qëlluar për të diskutuar rolin e gruas në paqebërje.

Jo shumë larg nga ky vend, pra nga Prishtina, më pak se dy orë me automobil, do të arrini në fshatin e Letnicës, dhe mu aty para shumë dekadave, ishte një vashë e re me emrin Gonxhe Bojaxhiu e cila e gjeti Zotin dhe vendosi që dashurinë ndaj Zotit ta përkthejë në dashuri ndaj tërë njerëzimit, fëmijëve te Zotit. Kjo vashë vite më vonë u bë e famshme si Nëna Tereze dhe fitoi Çmimin Nobel duke u bërë shqiptarja e parë dhe e vetme që e fitoi këtë çmim. Këtë vit ajo do të shpallet e shenjtë, dhe ne që tani kemi filluar të festojmë dhe të urojmë që Nëna Terezë, nëna e shqiptarëve por edhe  e Irlandës, Kalkutës dhe tërë botës, të jetë fanar inspirimi dhe shembull i përkushtimit jetësor ndaj mirëqenies dhe dashurisë për njëri-tjetrin.

Pra ne sot këtu, së bashku me juve jemi, të frymëzuar nga jeta dhe vepra e Nënës Tereze, shenjtores së të varfërve, kujtojmë se ky nënqiell është tokë e plleshme ku shumë shekuj më parë, shumë mijëvjeçarë më pare, janë mbjellur farat e diversitetit dhe respektit ndaj njëri-tjetrit.

Pra ky është një vit i mirë për ta kujtuar Nënçn Tereze, dhe për ta shënuar rolin e gruas në luftimin e ekstremizmit por edhe në afirmimin e dialogut ndërfetar.

Të nderuar mysafirë nga mbarë bota,

Ju ftoj të mendojmë për tri pika këto ditë të konferencës dhe të reflektojmë bashkërisht se si mund të rrisim bashkëpunimin për një qëllim të përbashkët: bota në paqe dhe keqpërdorimi i emrit të Zotit për të përhapur urrejtjen, konfliktin, mosdurimin dhe absolutizmin fetar:

-    Pika e parë ka të bëjë me domosdoshmërinë që të mos jemi gjysmakë në luftën tonë ndaj ekstremizmit. Kur vetëm meshkujt punojnë, vetëm meshkujt angazhohen dhe vetëm meshkujt propagojnë ideologji apo predikime fetare, rezultati gjithmonë na del negativ ngase familjet tona, shteti ynë, bota jonë nuk është e meshkujve dhe nuk u takon vetëm meshkujve. Patjetër duhet gjetur dhe zgjatur dorën edhe gruas, motrës e bashkëshortes për të luftuar të keqen, për ta edukuar fëmijën me dashuri dhe respekt, dhe për ta ndërtuar familjen e shëndoshë dhe shtetin e shëndoshë. A ka aleatë më të mirë se nëna, motra, gruaja në luftimin e ekstremizmit? Por cila nënë apo cila bashkëshorte dëshiron të shohë të birin apo burrin të vdekur në shkretëtira të Lindjes së Mesme, duke luftuar për të përhapur agjenda absurde të urrejtjes. Pra, ju ftoj që sot të nisim një dialog të mirëfilltë se si të angazhohet gruaja në çdo aspekt të debatit shoqëror dhe aktivizmit qytetar? Mendoj se nobelistet e shquara që kemi sot pranë janë shembuj që mund të na ndriçojnë me ide se si të afirmojmë punën e gruas dhe se si feja të mos jetë pengesë por shtytje e angazhimit të grave.

-    Pika e dytë që dua të propozoj është që të mos biem në grackën e debateve të njëllojshme kur të gjithë pajtohemi se besojmë në një Zot, të gjithë pajtohemi se feja duhet t’i bashkojë e jo t’i largojë njerëzit. Unë nuk besoj se ne mund të bëjmë dialog vetëm mes nesh që jemi afirmues të paqes – ne duhet ta zgjerojmë dhe ta thellojmë dialogun, ne duhet të jemi të pranishëm edhe në qarqet ku ka jotolerancë, ku mbillet urrejtja, dhe aty ta përçojmë betejën tonë kundër ekstremizmit. Pra pa qenë të pranishëm në Facebook, ku janë miliona të rinj duke u helmuar me mesazhe përçarëse, ne nuk mund të kemi sukses në luftimin e ekstremizmit; pa i përfshirë shkollat dhe çerdhet në parandalimin e ekstremizmit ne nuk mund të kemi sukses në burgosjen e atyre që tashmë janë të bindur në agjendën e urrejtjes; pa bërë një trekëndësh në mes të familjes, shtetit dhe shkollës ne nuk mund të krijojmë baza të shëndosha të një agjende progresive.

-    Pika e tretë është më e ndjeshme dhe ka të bëjë ndoshta më shumë me publikun vendas.

Kemi pasur opinione në mediume ndërkombëtare ku Kosova është quajtur si e transformuar nga një shtet shumë pro-amerikan dhe pro-perëndimor, në një shtet ku ka elementë fundamentalistë dhe vullnetarë të ISIS-it.

Debati që u ngjall pas botimit të një artikulli ishte i ndarë në ata që thonin se shkrimi ishte i saktë, se Kosova ka dështuar të luftojë ekstremizmin, dhe në ata që e sulmojnë këtë opinion duke pohuar se Kosova nuk e ka problem radikalizmin fetar dhe se shkrimi mund të jetë rezultat i një islamofobie.

E kam ndjekur me vëmendje këtë debat dhe mund të them se të dy palët gabojmë që e fusin debatin në binarë të pro dhe kundër këtyre opinioneve.

Ajo që dua të them është se Kosova është vendi më pro-amerikan në botë, më pro-NATO dhe më pro Bashkimit Evropian. Dhe të gjitha sondazhet tregojnë se që të tri këto orientime dalin mbi 90-95%. 

Sidoqoftë, sot ka opinione të prezantuara në medie të ndryshme dhe që janë atraktive dhe alarmuese për rrezikun nga radikalizmi Islamik apo nga imigrantët e Sirisë. Shumë nga këto opinione përqendrohen në gjetjen e shembujve më të këqij dhe njerëzve më të rrezikshëm që jetojnë në Bruksel, Paris, Londër apo edhe në Prishtinë dhe në kryeqytete të tjera. Gabojmë rëndë nëse mohojmë se njerëz të tillë ka në rrethin tonë. Gabojmë rëndë nëse nuk kuptojmë se rreziku nga ekstremizmi është real dhe është vdekjeprurës. Gabojmë nëse nuk e shikojmë veten në pasqyrë. Ka pasur elementë që kanë shkuar nga Kosova në Siri dhe në Iran. Por, jemi vlerësuar si kampionë në luftë kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, dhe mund të them se në shtatë muajt e fundit nuk e kemi asnjë qytetar që ka udhëtuar apo që iu është bashkuar kësaj të keqeje, në Siri apo Irak. Kosova duhet të vazhdojë të jetë e vendosur kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Prandaj, dëshiroj të potencoj se jo vetëm shteti por edhe Bashkësia Islame dhe grupet e ndryshme të interesit duhet parë gabimet e gjuhës së urrejtjes që transformohen në veprime të vdekjes.

Por, po ashtu gabojmë nëse lejojmë që zemrat tona të na errësohen nga frika dhe nga cinizmi. Njëherësh, nuk duhet të lejojmë që agjenda kundër fundamentalizmit dhe ekstremizmit të shndërrohet në agjendë komerciale. Nuk mund të rrimë anash dhe të kritikojmë, qeverinë, policinë apo liderët fetarë, duke i përqeshur apo duke i ofenduar, apo duke ua mohuar angazhimin dhe rolin që e kanë në shoqëri.

Më lejoni të citoj edhe një herë Papa Françeskun nga një fjalim i mëhershëm: “Dialogu, me çdo që gjë bart mbi vete, na rikujton se askush nuk mund të jetë vetëm vrojtues nga anash. Beteja fitohet vetëm duke u zhvilluar drejtpërdrejtë me të. Çdokush, nga më i vogli e deri tek më i madhi duhet të kenë një rol aktiv për të luajtur në ndërtimin e një shoqërie të integruar dhe të pajtuar. Kjo kulturë e dialogut mund të vijë vetëm nëse çdonjëri prej nesh luan një rol në planifikim, ndërtim e fuqizim të dialogut. Situata sot nuk na lejon të rrimë anash duke i shikuar problemet e të tjerëve. E kundërta është e vërtetë, duhet të na frymëzojë në mënyrë të fuqishme të marrim përgjegjësi shoqërore dhe personale të punojmë për dialog, mirëkuptim dhe pajtim.

Pra, të dashur mysafirë, ne dhe ju, kemi obligim që aktivisht të marrim pjesë në dialog, të afirmojmë vlerat e dashurisë, e jo të rrimë anash dhe të akuzojmë njëri-tjetrin apo, edhe më keq, të vrojtojmë pa bërë as më të voglin kontribut në afirmimin e dialogut. Dhe kjo mund të arrihet vetëm me një angazhim të të gjithëve, të institucioneve të vendit, të të gjithë mekanizmave të shtetit, të shoqërisë civile, të medieve dhe të të gjithë njerëzve më me ndikim në opinionin publik. Nga ana ime dhe nga ana e institucioneve të Kosovës, të gjithë këta zëra dhe gjithë këto opinione do ta kenë partneritetin e vazhdueshëm. 

Përfundimisht, kam nderin që sot të flas para jush dhe të ju uroj për hapjen e kësaj konference të pestë me radhë duke ju dëshiruar punë të mbarë. Kam besim  se do të keni sukses të plotë në debatimin e çështjeve që mund të ngriten këtu, prandaj dua të besoj se platforma e ndërtuar prej jush do të jetë një platformë vepruese edhe për ne.

Paqja qoftë me juve dhe Zoti ju bekoftë.

Fjala e Dr. Shirin Ebadi, laureate e Çmimit Nobel Paqe për vitin 2003, në Konferencën e Pestë Ndërkombëtare Ndërfetare në Kosovë

Prishtinë, 31 maj, 2016

Mirëmbrëma President i nderuar,

Mirëmbrëma të gjithë pjesëmarrësve në këtë konferencë,

Jam shumë e lumtur dhe e nderuar që marr pjesë në këtë konferencë dhe e vizitoj vendin tuaj të bukur, Kosovën. Unë jam shumë e lumtur, në të vërtetë mirënjohëse ndaj Presidentit që ka theksuar rolin e rëndësishëm që gratë mund të luajnë në dialogun ndër-fetar. Fjalimi i zotit Presidentit më përkujtoi një pyetje që vajza ime më parashtroi më parë. Ajo më pyeti "oh, fetë monoteiste, ato besojnë se Zoti nuk ka gjini, apo jo?" Dhe unë i thashë "Po, kjo është e saktë". Pastaj ajo tha, pse në të gjitha librat e shenjtë ato i referohen Zotit në gjininë mashkullore si "ai"? Dhe unë mendoj se ne të gjithë e dimë përgjigjen në këtë pyetje, dhe përgjigja është se feja është interpretuar, deri tani, nga burrat. Arsyeja kryesore është se ne shohim se në shoqëritë tradicionale dhe të prapambetura që nuk janë demokratike, gratë janë në pozitë sekondare. Për shembull, gratë në Arabinë Saudite nuk lejohen të vozisin. Ose në vendin tim, në Iran, gratë i nënshtrohen diskriminimit ekstrem. Poligamia është shumë e zakonshme dhe e
përhapur në të gjitha vendet islamike. Në shumë vende islamike duke përfshirë vendin tim, ende ekziston dënimi me vdekje përmes goditjeve me gurë për çdo grua që ka kryer tradhti bashkëshortore. Trashëgimia e grave është sa gjysma e trashëgimisë së burrave.

Tani unë dua të përgjigjem në këtë pyetje: A i shtyp gratë feja Islame? Jo, feja Islame nuk i shtyp gratë. Është kultura patriarkale që e paraqet interpretimin e vet të fesë Islame si shtypëse e grave. Ashtu si ata e përshkruajnë Zotin si burrë, pra në gjini mashkullore, ata e kanë interpretuar ligjin e Sheriatit në atë mënyrë që i diskriminon gratë. Ne jemi dëshmitarë se si grupet ekstremiste siç janë Boko Haram dhe ISIS po i shtypin gratë. ISIS madje edhe shet gra për çmim të një paketë cigare. Tani për t'u përballur me ISIS-in, është themeluar një koalicion që përbëhet nga përafërsisht dyzet shtete të cilat janë duke luftuar ISIS-in gjatë gjithë kohës. Por, mos të harrojmë, ISIS-i nuk është thjesht një grup terrorist, është një ideologji e gabuar. Dhe ju nuk mund të zhdukni një ideologji të gabuar përmes hedhjes së bombave, gjë që është dëshmuar nga përvoja me Talibanin.

Që nga shekulli i kaluar, Talebani është luftuar gjatë tërë kohës, por Talibani nuk është dobësuar; në fakt është bërë më i fortë nga dita në ditë. Ne edhe mund të themi se ISIS buron nga ideologjia e Talibanit. Tani pyetja ime për botën është se pse po përsëritet një përvojë e humbjes? Ju mund të luftoni një ideologji të gabuar vetëm duke përdorur ideologjinë e duhur. Tani ISIS është duke shfrytëzuar ndjenjën fetare të të rinjve dhe po ua paraqet atyre interpretimin e gabuar të Islamit, ndërsa Islami ka interpretime shumë më të mira. Ne duhet t’u japim myslimanëve progresive dhe modern një zë, një platformë, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet në të gjithë botën. Dhe ne duhet t’u tregojmë të rinjve se ka interpretime më të mirë të Islamit, dhe kjo është arsyeja pse unë kam përkrahur opsionin që në vend se të hedhim bomba mbi ISIS-in, duhet të hedhim libra.

Dhe tani, si e interpretojnë Islamin myslimanët progresive? Myslimanët progresive besojnë se ligjet e Sheriatit bien në dy kategori: 1) Kategoria e parë rregullon marrëdhënien tonë me Zotin, siç janë lutjet e përditshme, agjërimi gjatë Ramazanit. Tani kjo kategori e parë përfshin ligjet fikse. Dhe për aq kohë sa dikush beson në myslimanë, ata duhet të veprojnë në përputhje me ta. Por, as shteti, as grupet qeveritare nuk mund të marrin në pyetje kurrë dikë nëse ata nuk veprojnë në përputhje me këto ligje; siç janë të krishterët dhe Kisha. Të krishterët shkojnë në kishë çdo të diel, por në qoftë se një i krishterë vendos të  mos shkoj në kishë të dielën, askush nuk lejohet të marr atë në pyetje për këtë arsye. Megjithatë, për fat të keq ne shohim se në disa vende islamike, nëse disa njerëz nuk u përmbahen këtyre ligjeve fikse, ata dënohen. Dhe kjo është krejtësisht e gabuar, sepse këto gjëra janë krijuar për të rregulluar marrëdhëniet tona me Allahun, apo Zotin. Dhe kjo nuk ka aspak të bëj me qeveritë apo myslimanët tjerë.

Tani kategoria e dytë e ligjeve të Sheriatit ka të bëj me ligjet që rregullojnë marrëdhëniet e individëve me shoqërinë, siç është ligji për martesën apo dënimet. Tani ne duhet t'i zbatojmë ato, por ne duhet t'i përditësojmë ato në varësi të nevojave dhe kërkesave të kohës, por ne duhet të sigurohemi që ne të ruajmë frymën e këtyre ligjeve. Për shembull, në Kuran thuhet se në qoftë se dikush kryen vjedhje, ju duhet t’ua preni dorën atij. Tani cila është fryma e këtij ligji? Bëhet fjalë për vjedhjen e cila është gabim dhe hajni duhet të dënohet. Pra, natyrisht, në të gjitha vendet islamike, ne duhet të respektojmë frymën e atij ligji. Me fjalë të tjera, asnjë shtet mysliman nuk mund të thotë se vjedhja është e mirë dhe se hajni nuk duhet të dënohet. Megjithatë, kur bëhet fjala për të ndëshkuar atë hajn, dënimi varet edhe nga nevojat dhe kërkesat e kohës. Tani katërmbëdhjetë shekuj më parë nuk ka pasur burgje, për atë arsye janë dënuar kësisoj hajnat në Arabinë Saudite. Ashtu si në Evropë në atë kohë, siç e keni lexuar, ata i kanë djegur të gjallë hajnat. Por tani ne kemi burgje. Pra, dënimet duhet të jetë në pajtueshmëri me kohën, me fjalë të tjera duhet të burgoset hajni. Ndoshta pas njëqind vjetëve edhe burgu mund të konsiderohet i padrejtë. Me fjalë të tjera, ne duhet të sigurohemi që t'i përshtatim ligjet sipas kohës. Ose ata thonë se një grua trashëgon gjysmën së shumës që e ka burri. Kjo ishte e natyrshme para disa shekujve, sepse në atë kohë gratë nuk gjeneronin të ardhura. Dhe atëkohë ishte burri i cili ishte përfitues i vetëm i të ardhurave në familje. Por në ditët e sotme edhe gratë punojnë, kështu që familja varet nga të ardhurat e të dyve, burrave dhe grave, dhe për këtë arsyeja ne duhet të themi se burrat dhe gratë duhet të kenë hise të barabartë në trashëgimi. Kjo është arsyeja pse ne mund të rinovojmë shumë prej këtyre ligjeve të Sheriatit. Megjithatë, të ruhet dhe mbrohet fryma e Sheriatit. Siç mund të shihni në shumë vende, skllavëria është hequr. Dhe skllavëria sigurisht ka ekzistuar edhe në libra tjerë të shenjtë, por në ditët e sotme është hequr. Pse? Për shkak se kohërat kanë ndryshuar dhe tani ajo nuk tolerohet më. Shumë gjëra që kanë të bëjnë me këtë kategori të ligjit të Sheriatit nuk zbatohen më. Për shembull, shumë vende islamike nuk e kanë dënimin me vdekje përmes goditjeve me gurë. Por tani ka vetëm pak vende që presin dorën e hajnit. Ose si vendet e tjera islamike që burgosin hajnin.

Por fatkeqësisht ajo që është e rëndësishme, është se ende në shumë vende islamike, ligjet diskriminuese ndaj grave konsiderohen të jenë të fundit në listën e ligjeve që duhet të ndryshohen. Cila është arsyeja për këtë? Arsyeja është se Islami nuk ka potencial për t’u reformuar. Arsyeja për këtë është kultura patriarkale. Ky interpretim patriarkal i Islamit është duke paraqitur një interpretim i cili ka për qëllim të arsyetoj veprimet e tij. Dhe a është ky Islami i interpretuar në mënyrë korrekte që ne duhet të mësojmë rininë tonë. Ne duhet të mësojmë të rinjtë që ata duhet të ruajnë frymën e Islamit, por ata duhet të ndryshojë atë në përputhje me kohën. Ashtu sikur ne nuk të udhëtojnë me deve, po ashtu janë edhe ligjet që duhet të jenë në përputhje me këtë shekull. Dhe një pikë tjetër është se fundamentalizmi nuk është i kufizuar në Islam. Për fat të keq, fundamentalizmi mund të shihet në shumë vende. Unë kam vizituar së fundmi lumin e shenjtë Ganges, Varanasi, i cili është një lumë i shenjtë. Tani ky është një lumë shumë i shenjtë në Indi dhe Hindusët dhe besojnë se të paktën një herë në jetën e tyre ata duhet të jenë në atë lum. Dhe aty kam vënë re disa femra të veshura me veshje tradicionale indiane Sarees me ngjyrë të bardhe dhe me koka të rruara, dhe ato ishin ulur pranë lumi, duke u lutur vazhdimisht. Kështu që unë pyeta dhe më shpjeguan se këto gra janë të veja, dhe kur një grua është e ve, në fenë Hindu, ato dërgohen këtu dhe dënohen ndaj këtij lumi, dhe kjo është mënyra se si ato duhet të kalojnë pjesën e mbetur të jetës, sepse gratë e veja konsiderohen fat i keq, ogur i keq. Ose, unë kam vizituar Liberinë së fundmi, ku President është një femër dhe një mike laureate e çmimit Nobel. Dhe popullata aty janë të krishterë. Por kam vërejtur se më shumë se pesëdhjetë për qind e grave iu ishin nënshtruar gjymtimit gjenital femëror (FGM). Kishte edhe reklama në shumë billborde ku thoshte ejani tek ne nëse dëshironi të bëni FGM. Apo, unë gjithmonë kam menduar se gratë në pjesën veriore të Evropës janë më mirë të pozicionuara, deri sa së fundmi shkova në Danimarkë për të marrë pjesë në një seminar. Ata më dhanë një medaljon të vogël që të vë në xhaketën time, dhe thanë se ky është një simbol i simpatisë për të gjitha gratë. Dhe gratë më thanë se arsyeja që ne kemi hequr çerekun e kësaj Koronë Daneze, dhe ata e kanë bërë këtë, është sepse gratë marrin një çerek më pak të pagës se burrat. Pra, këto shembuj tregojnë se fundamentalizmi dhe diskriminimi kundër grave ka ekzistuar kudo. Por, për fat të keq, mediat tentojnë të përqendrohet në ekstremizëm vetëm në Islam dhe ato duket se neglizhojnë diskriminimin në vendet tjera. Për shembull, unë jam i sigurt që ju nuk keni dëgjuar shumë për myslimanët në Rohingya në Birmani, se si vriten ata. Ata u vënë zjarrin fshatrave të këtyre myslimanëve. Apo ndoshta ju nuk keni dëgjuar shumë rreth myslimanëve Ujgur në Kinë. Ose vrasjen e myslimanëve në Çeçeni. Por në momentin që myslimanët kryejnë ndonjë lloj vepre, e tërë media globale dhe me përmasa të mëdha thotë oh, një mysliman ka kryer këtë apo atë. Unë e quaj këtë përhapje të padrejtë të raporteve. Dhe unë shpresoj se së shpejti këto përhapje të padrejta të lajmeve dhe raporteve do të ndalen, sepse kjo vetëm do të shtoj islamofobinë. Ne mund të bashkëjetojmë me të gjithë nga secili besim. Psikologët besojnë se ne kemi frikë nga ajo që ne nuk e dimë. Dhe se frika nga e panjohura shpien në humbjen e paqes dhe qetësisë. Dhe kur ju humbni atë ndjenjë të qetësisë ju do të urreni atë gjë që e ka shkaktuar humbjen e saj. Pra, në mënyrë që të jemi në gjendje të bashkëjetojnë, ne duhet të njohim fenë dhe kulturën e njëri-tjetrit. Dhe kjo është mënyra e vetme që ne mund të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore.

Si mysliman, unë do të doja të shpreh mirënjohjen time që më është ofruar kjo mundësi për të diskutuar me ju në lidhje me fenë time. Uroj që vendi juaj të mbetet po aq i bukur dhe paqësor siç është tani.

Ju faleminderit!