Presidenti Thaçi hapi “HardhFest”-in, thotë se Rahoveci është Toskana e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Rahovec ka hapur festën e vjeljes së rrushit “HardhFest”.

Presidenti Thaçi ka lavdëruar këtë organizim, i cili sivjet është i pesëmbëdhjeti me radhë, duke thënë se qytetin e karnevalit të rrushit, Rahovecin, e ka bërë qendër kulturore.

“Rahoveci është Toskana e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai shtoi se me rritjen e subvencioneve çdoherë e më shumë është shtuar prodhimtaria e rrushit dhe janë rritur edhe sipërfaqet e mbjella me hardhi.

“Sot vreshtaria dhe prodhimi i verës është një sektor model për Kosovën, pasi jo vetëm që plotëson nevojat e brendshme, por edhe eksporton me sukses produkte “Made in Kosovo” anekënd botës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndryshe, sivjet në “HardhFest” produktet e tyre i kanë ekspozuar rreth 30 kompani vendore të të gjitha komuniteteve, që merren me prodhimin e rrushit dhe verës.

Festivali i sivjetmë i verës dhe rrushit është organizuar nën patronazhin e Komunës së Rahovecit dhe Ministrisë së Bujqësisë, si dhe do të jetë i hapur deri më 4 shtator.