Presidenti Thaçi: Fuqizimi i auditimit rrit llogaridhënien e institucioneve

Prishtinë, 22 nëntor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot pjesë në ceremoninë e certifikimit të auditorëve të sektorit publik, e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Me këtë rast, presidenti Thaçi, bashkë me  auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmanin, kanë shpërndarë certifikata për auditorët e rijnë, të cilët do të kontribuojnë në përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies në institucionet publike të Kosovës.

Në fjalën e tij, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se përkrah fuqishëm institucionin e Auditorit të Përgjithshëm dhe mirëpret punën e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve të kësaj zyre.

Raportet vjetore të Zyrës së Auditorit, sipas tij, janë sot një burim i vlefshëm i informimit për punën e institucioneve shtetërore. “Në fakt, këto raporte janë kthyer në udhërrëfyes për të gjitha institucionet publike në Kosovë se si të shpenzojnë me përgjegjësi dhe në interes të qytetarëve paranë publike”, ka thënë Presidenti.

Para shumë personaliteteve të kësaj fushe, Thaçi ka theksuar se qëllimi përfundimtar i kësaj është që të përmirësohet edhe më tutje qeverisja në Kosovë, në të gjitha nivelet. Ai ka shtuar se të gjitha institucionet e Kosovës duhet të rrisin bashkëveprimin institucional me qëllim të forcimit të qeverisjes dhe ligjshmërisë.

Presidenti ka thënë se e tërë kjo, jo vetëm që do të sjellë qeverisje më të mirë, por do të rrisë edhe më tutje besimin e qytetarëve në institucionet publike. 

“Sot po shënojmë edhe një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve të auditimit publik në Kosovë. Auditorëve të certifikuar u uroj për këtë arritje të shkëlqyeshme, ndërsa Auditorit të Përgjithshëm dhe personelit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, u uroj punë të mbarë dhe të suksesshme”, ka thënë në fund presidenti Thaçi.