Presidenti Thaçi: FSK-ja, tregues i karakterit të shtetit dhe shoqërisë

Prishtinë, 28 shtator 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në përurimin e Qendrës për Kërkim dhe Shpëtim të FSK-së, në fshatin Pomozotin të Fushë Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se hapja e kësaj qendre është një e arritur e radhës e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe se kjo forcë gjithnjë e më shumë po forcohet në drejtim të mirëmbajtjes së kapaciteteve operacionale, të gatishmërisë për mbështetje të institucioneve, të komuniteteve, të OJQ-ve dhe të bashkëpunimit me partnerët tanë.

“Bashkëpunimi me partnerët tanë strategjikë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht me Gardën e Ajovës, me NATO-n dhe KFOR-in, reflektohet çdo ditë në ngritjen, forcimin dhe modernizimin e FSK-së”, u shpreh presidenti Thaçi.

Intervenimet emergjente të FSK-së, qoftë në Kosovë apo rajon, sipas presidentit Thaçi, kanë treguar më së miri se sa të përgatitur janë pjesëtarët e saj, si në aspektin operacional, ashtu edhe në atë psikologjik dhe moral.

“Disa nga kadetët e FSK-së janë duke shkëlqyer në akademitë ushtarake më prestigjioze në botë dhe ky është tregues sesa njerëz të talentuar, sa të rinj dhe të reja janë të interesuar që të vihen në shërbim të atdheut në segmentin e sigurisë dhe mbrojtjes”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke iu referuar përfshirjes së pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve, me një përbërje të avancuar gjinore, presidenti Thaçi tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është treguesi më i mirë edhe i karakterit të shtetit dhe shoqërisë sonë.

“FSK-ja është reflektim i vlerave të shoqërisë sonë. FSK-ja është ushtria e ardhshme e Kosovës”, tha ai.
 
Në emër të Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi ka falënderuar edhe qeveritë e shteteve që kanë kontribuar në ngritjen, profesionalizmin dhe në kapacitetet logjistike të Qendrës për Kërkim dhe Shpëtim të FSK-së.
 
Në hapjen zyrtare të kësaj qendre morën pjesë edhe ministri i FSK-së, Haki Demolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Giovanni Fungo, pjesëtarë të shumtë të korit diplomatik dhe deputetë e zyrtarë të tjerë shtetëror.