Presidenti Thaçi: Dialogu ka arritur në fazën finale, Kosova mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes

Prishtinë, 25 janar 2017 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Brukseli ka mbajtur një konferencë për media, ku ka folur rreth takimit të mbrëmshëm të delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së.

Presidenti Thaçi ka thënë se padyshim që situatat e krijuara pas një periudhe të gjatë të ndërprerjes së procesit të dialogut të nivelit të lartë politik ndërmjet dy shteteve, posaçërisht pas zhvillimeve të fundit të hidhura me veprime provokative dhe retorikë nacionaliste, kanë bërë që ky takimi të jetë mjaft i vështirë. Por, përkundër këtij fakti, presidenti Thaçi ka thënë se kemi përgjegjësi që të punojmë me përkushtim për ruajtjen e paqes.
 
“Përkundër këtij fakti, ne jemi liderë shtetërorë dhe kemi përgjegjësi për të punuar me përkushtim për ruajtjen e paqes dhe normalisht, edhe përfundimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
Kjo është deklarata e plotë e presidentit Thaçi:
 
“Sapo u ktheva nga Brukseli ku së bashku me kryeministrin Mustafa mbajtëm takimin e parë të nivelit politik më të lartë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Znj. Federica Mogherini.
 
Padyshim situatat e krijuara pas një periudhe të gjatë të ndërprerjes së procesit të dialogut të nivelit të lartë politik ndërmjet dy shteteve respektive, posaçërisht pas zhvillimeve të fundit të hidhura me veprime provokative dhe retorikë nacionaliste, kanë bërë që ky takimi të jetë mjaft i vështirë.
 
Përkundër këtij fakti, ne jemi liderë shtetërorë dhe kemi përgjegjësi për të punuar me përkushtim për ruajtjen e paqes dhe normalisht, edhe përfundimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
 
Mund të them që jam i kënaqur që qëllimi kryesor i këtij takimi, që ka qenë ulja e tensioneve dhe shmangia e provokimeve të panevojshme, është arritur. Mirëpo, na mbetet shumë që të punojmë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.
 
Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që të flasim hapur dhe të kërkojmë nga Serbia ndalimin e veprimeve që qëllim dhe rezultat kanë destabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë.
 
Këtu, përfshihen të gjitha ato veprime negative provokuese që ndodhën gjatë periudhës së fundit, që më shumë sjellin kujtime të një të kaluare të hidhur dhe si të tilla ngufatin hapësirën për veprime afirmative dhe pozitive drejt qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona.
 
Mendoj se ka pasur një mirëkuptim ndërmjet palëve për domosdoshmërinë që të ulën tensionet dhe t’i përkushtohemi procesit të dialogut me seriozitetin më të madh.
 
Një dakordim tjetër mes palëve të përfshira ka qenë edhe gatishmëria për intensifikimin e takimeve të nivelit të lartë politik dhe ne si përfaqësues të Kosovës kemi shprehur gatishmërinë tonë që të japim kontributin maksimal konstruktiv në këtë aspekt.
 
Në të njëjtën kohë, ne mendojmë se dialogu tanimë ka arritur në fazën finale kur edhe duhet të jetë e qartë se cili është përfundimi dhe rezultati përfundimtar i këtij procesi.
 
Në këtë fazë përfundimtare të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë shpresoj se me ndihmën e ndërmjetësueses znj. Federica Mogherini, ne do të mund të negociojmë dhe të arrijmë një marrëveshje politike përfundimtare të pajtimit dhe bashkëpunimit reciprok ndërmjet dy shteteve.
 
Vetëm një marrëveshje e tillë është garancë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, garancë për procesin e integrimit të papenguar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë në BE dhe NATO.
 
Prandaj, Kosova mbetet tërësisht e përkushtuar në këtë proces tepër të rëndësishëm dhe mbetet faktor determinues në favor të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
 
Për fund, edhe njëherë dëshiroj të falënderoj zonjën Mogherini për rolin e saj aktiv dhe vendimtar në uljen e tensioneve në mes dy vendeve tona, por edhe për hapjen e mundësisë për një perspektivë të një dialogu të mirëfilltë, që do të çonte drejt normalizimit të plotë, drejt fqinjësisë së mirë dhe pajtimit Kosovë-Serbi dhe popujve tanë. Kosova thërret përsëri për paqe, stabilitet, mirëkuptim, për vlera euroatlantike, për fqinjësi të mirë dhe dua të shpresoj se do ta kemi këtë vullnet edhe te pala serbe dhe ky proces sikur edhe dje, do të udhëhiqet nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.”