Presidenti Thaçi dhe kryediplomati grek flasin për forcimin e marrëdhënieve bilaterale

Prishtinë, 12 prill 2018 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikolaos Kotzias.

Presidenti Thaçi ka thënë se e çmon pozicionin pozitiv dhe parimor të Greqisë për perspektivën evropiane të Kosovës.

“Jemi mirënjohës për përkrahjen e Greqisë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe kërkojmë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe për anëtarësimin tonë në INTERPOL, UNESCO, NATO, Bashkim Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “është shumë me rëndësi që Greqia ta ruaj qëndrimin konstruktiv”.

Kreu i shtetit me ministrin Kotzias ka folur edhe për rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili forcon paqen në tërë rajonin tonë.

Në anën tjetër, kryediplomati grek ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes shteteve në Ballkanin Perëndimor, por edhe në vetë Bashkimin Evropian, është shumë i rëndësishëm për të gjitha shtetet.

“Greqia e mbështet planin e integrimit evropian në të gjitha nivelet”, u shpreh Kotzias.

Presidenti Thaçi dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikolaos Kotzias, kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

“Kosova ka krijuar një ambient biznesor mjaft atraktiv dhe janë të mirëseardhur investitorët grekë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Gjatë takimit të presidentit Thaçi me ministrin e Jashtëm të Greqisë është diskutuar edhe për procesin dhe modalitetin e hapjes së zyrës së Kosovës në Athinë, e cila do të ndihmonte në forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes Kosovës dhe Greqisë.