Presidenti Thaçi dhe kryediplomati britanik flasin për partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Britanisë

E enjte, 10 nëntor 2016 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka zhvilluar një takim bilateral me Ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë, Boris Johnson.

Presidenti Thaçi e ka vlerësuar lart vizitën e kryediplomatit britanik dhe mesazhet e tij të dhëna në Kosovë dhe rajon.
 
“Rajoni nuk ka destinacion tjetër përveç BE-së. Ne jemi të inkurajuar që të vazhdojmë rrugën e integrimit në NATO dhe BE. Por, jemi të kërcënuar nga vonesa e BE-së, që po i krijon hapësirë të tjerëve të shtrijnë ndikimin në rajon”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
Kryediplomati britanik, Boris Johnson, ka shprehur përkrahje për aspiratën e tërë rajonit për anëtarësim në BE.
 
“Mbështesim angazhimin për bashkëpunim të mirë ndërfqinjësor në rajon”, ka thënë ai.
 
Presidenti Thaçi dhe kryediplomati Johnson kanë biseduar edhe për ndërtimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjithë sektorët ndërmjet Kosovës dhe Britanisë.