Presidenti Thaçi dënon ashpër sulmet e mbrëmshme në Manchester

Prishtinë, 23 maj – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar ashpër sulmin e mbrëmshëm të ndodhur në Manchester, ku u vranë dhe u plagosën dhjetëra qytetarë britanikë.

“Sulmi tronditës në Manchester është drejtuar kundër të pambrojturve, kundër rinisë dhe ardhmërisë. Në këto orë të rënda, populli dhe institucionet e Kosovës bashkëndjenë me dhembjen e popullit dhe institucioneve të shtetit mik, Britanisë së Madhe”, thuhet në deklaratën e presidentit Thaçi.

Ai ka shtuar se terroristët nuk kursejnë asgjë dhe askënd për të përhapur frikën dhe tmerrin në botë, duke sulmuar vlerat, të cilat janë ndërtuar me shumë sakrificë.

“Bota demokratike së bashku i ka ndërtuar këto vlera, së bashku duhet t’i mbrojë ato nga terroristët, të cilët nuk zgjedhin mjete për të përmbysur ato”, ka theksuar presidenti.

Duke qenë pjesë e koalicionit kundër ISIS-it, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova do të luftojë përkrah shteteve mike kundër atyre që përdorin dhe përhapin frikë përmes akteve terroriste.