Presidenti Thaçi dekoroi Emrush Hazirin me medaljen “Heroi i Kosovës”

Prishtinë, 5 tetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ndarë dekoratën “Hero i Kosovës”, pas vdekjes, Emrush Et’hem Hazirit për sakrificë dhe trimëri për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Duke ua dorëzuar dekoratën familjarëve të Emrush Hazirit, presidenti Thaçi u shpreh se “është kënaqësi për mua që të kem mundësinë të ndaj këtë dekoratë për bacën Emrush” dhe kujtoi se “nuk bën të harrohet se sa e vështirë ka qenë të veprohet në kohën kur kanë vepruar Emrushi dhe të tjerët”.

Presidenti Thaçi shtoi se fuqia e vërtetë e Emrushit ka qenë aftësia e tij për t’i bërë bashkë të gjithë.

“Pa marrë parasysh dallimet në mendimet politike që kishim, baca Emrush na e kujtonte që të gjithë kemi një qëllim”.

Duke pranuar dekoratën, bashkëshortja Taibe Haziri u shpreh se “jemi krenarë për angazhimin e Emrushit”.