Presidenti Thaçi: Bashkëpunimi me Jordaninë të shtrihet në të gjitha nivelet e sigurisë

Prishtinë, 07 dhjetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Salameh Hammad.

Në këtë takim është folur për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në fushën e sigurisë dhe për mundësinë e intensifikimit të shkëmbimit të përvojave në këtë sektor.

Presidenti Thaçi ka theksuar se dy shtetet ndajnë vlerat e njëjta, por edhe rreziqet, të cilat janë të ndërlidhura me kërcënimet të grupeve terroriste.

“Rreziqet e juaja janë rreziqet tona. Prandaj, bashkëpunimin tonë duhet ta shtrijmë në të gjitha nivelet e sigurisë”, ka theksuar presidenti.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Salameh Hammad, ka përcjellur përshëndetjet e Lartmadhërisë së Tij, mbretit Abdullah II.

Ai ka thënë se marrëdhëniet e mira ndërmjet mbretit Abdullah dhe presidentit Thaçi po reflektohen në marrëdhënie të mira ndërmjet dy shteteve në të gjitha nivelet institucionale.

Ministri Hammad ka theksuar se nga vizita në Kosovë kanë dalë shumë propozime konkrete për bashkëpunim ndërmjet të gjitha organeve të sigurisë.

Presidenti Thaçi ka falënderuar Jordaninë për mbështeten që i ka dhënë Kosovës në procesin e njohjes dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ministri Hammad, në emër të mbretit Abdullah II, ka ftuar presidentin Thaçi që ta vizitojë Jordaninë në fillim të vitit të ardhshëm.