Presidenti: Të bashkohemi të gjithë në luftën kundër korrupsionit

Prishtinë, 18 nëntor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar kundër Korrupsionit.

Presidenti, qysh në fillim ka inkurajuar të pranishmit që të flasin hapur dhe së bashku të angazhohen në kuadër të këtij këshilli, për të forcuar komunikimin, koordinimin dhe bashkëpunimin në luftën kundër korrupsionit.

Ai ka theksuar se përgjatë këtyre viteve të ekzistencës si shtet, institucionet e Republikës së Kosovës me mbështetjen e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë kanë ndërmarrë iniciativa dhe veprime, me qëllim të konsolidimit të sundimit të ligjit dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues.

Sipas tij, një hap shumë i rëndësishëm në funksion të konsolidimit të sundimit të ligjit në Kosovë është nxjerrja e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Kodit të Procedurës Penale, që kanë hyrë në fuqi nga 1 janari 2013.

“Nga dita e parë e punës sime si President i vendit, kam inkurajuar institucionet përgjegjëse për të bërë një rishikim të drejtësisë penale, përfshirë edhe plotësim-ndryshimin e bazës ligjore, përkatësisht të Kodit Penal, duke sanksionuar suspendimin apo shkarkimin e zyrtarëve të lartë publikë të akuzuar apo dënuar për vepra penale të korrupsionit”, ka thënë ai.

Presidenti, po ashtu ka thënë se në kuadër të punës për reformën zgjedhore kemi diskutuar mbi propozimin për të mos lejuar kandidimin në zgjedhje të zyrtarëve të akuzuar apo dënuar për veprat penale të korrupsionit apo krimit të organizuar.

“Nuk mjafton vetëm hapja e një rasti apo ngritja e një aktakuze nëse nuk kemi një aktgjykim të formës së prerë për këto raste, duke përfshirë edhe konfiskimin e aseteve të përfituara në mënyrë të paligjshme”, ka theksuara ai.

Thaçi ka thënë se këtë peshë të përgjegjësisë duhet ta kemi gjithmonë në vëmendjen tonë. “I detyrohemi shumë gjeneratave të cilat kanë sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit, por edhe gjeneratave që po vijnë, të cilët meritojnë të gëzojnë perspektivë dhe mundësi të barabarta për edukim, punësim dhe zhvillim”, ka shtuar ai.

Në fjalimin e tij, presidenti Thaçi ka përmendur edhe sfidat që janë para institucioneve të Kosovës për arritjen e rezultateve të prekshme në forcimin e sundimit të ligjit.

“Nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ndërinstitucional, aplikimin e metodave dhe teknikave të sofistikuara hetimore, rritjen e numrit të rasteve të cilat përfundojnë me aktgjykime dënuese, harmonizimin e statistikave lidhur me rastet, forcimin e kontrollit të brendshëm të institucioneve dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies ndërmjet institucioneve”, ka thënë Presidenti.

Ai ka thënë se parandalimi dhe luftimi i korrupsionit është kusht i pashmangshëm jo vetëm në integrimet euro-atlantike por edhe në krijimin e një klime të sigurt për investime.

Thaçi ka shtuar se Kosova vitin e kaluar është kualifikuar dhe i është mundësuar për të përfituar dhjetëra milionë dollarë investime nga Korporata e Mileniumit – MCC. Por, sipas tij, investimi i këtyre mjeteve kushtëzohet me progres në luftën kundër korrupsionit.

Presidenti ka theksuar se është me rëndësi jo vetëm të arrihen rezultate, por këto rezultate të komunikohen me publik dhe të ketë dialog të hapur me shoqërinë civile dhe mediat.

“Shpesh ndodh se progresi i Kosovës mbetet i pa raportuar dhe se perceptimi publik është shumë më i keq se realiteti në shumë fusha të sundimit të ligjit, nga luftimi i korrupsionit deri te beteja kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Institucionet e Kosovës po punojnë, por kjo punë duhet të komunikohet në mënyrë transparente dhe të diskutohet edhe me shoqërinë civile”, ka thënë ai.

Presidenti ka folur edhe për rëndësinë që ka lufta kundër korrupsionit në avancimin e agjendës euroatlantike të Kosovës. Ai ka uruar ministrinë e Integrimeve Evropiane dhe organizatat e shoqërisë civile që kanë arritur marrëveshjen për “OPEN DATA”, apo të dhënat e hapura, platformë kjo që do të mundësojë transparencë dhe llogaridhënie më të madhe të shpenzuesve të parasë publike.

Ai ka bërë thirrje që fakti se kemi edhe vlerësim real dhe kritik për sfidat me të cilat ballafaqohemi, nuk duhet të shfrytëzohet nga askush për të bllokuar perspektivën e qytetarëve të Kosovës.

“Këtu, para se gjithash, i referohem qasjes jo të drejtë të Bashkimit Evropian, që në mungesë të vullnetit politik për të mundësuar lirinë e lëvizjes pa viza për qytetarët e Kosovës, vazhdimisht  thirret në nevojën për zbatimin e kritereve, të cilat, jo vetëm që nuk janë zbatuar nga vendet të cilave u janë liberalizuar vizat, por as nga një pjesë dërmuese e vendeve anëtare të BE-së”, ka thënë ai.

Thaçi ka theksuar se Kosova ka bërë më shumë se çdo vend tjetër në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe, sikurse çdo vend tjetër, duhet të vazhdojë të fuqizojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Por çdo kushtëzim i mëtutjeshëm i këtij angazhimi me vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, do të dëmtojë kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Kosovë. Fatkeqësisht, BE-ja nuk është duke u mërzitur fare për kredibilitetin e saj në Kosovë dhe kam frikë se kjo qasje injoruese nuk do të kalojë pa pasoja negative”, ka thënë në fund presidenti Thaçi.