Presidenti: S’ka demokraci të mirëfilltë dhe sundim të ligjit, nëse s’i mbrojmë të drejtat e njeriut

E premte, 11 nëntor 2016 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga misioni i OSBE-së për fushatën informuese të pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut.

Presidenti Thaçi ka thënë se të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
 
“Kosova po angazhohet të respektojë dhe promovojë të drejtat dhe instrumentet ndërkombëtare që ndërlidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore. Vëmendje të veçantë po i kushtohet mbrojtjes së personave që u përkasin grupeve të ndjeshme dhe minoriteteve, që të mos diskriminohen”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
Sipas presidentit, korniza ligjore që rregullon fushën e të drejtave të njeriut është avancuar dukshëm me miratimin e pakos së ligjeve për të drejtat e  njeriut, që përfshijnë Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligjin për Barazi Gjinore dhe Ligjin për Avokatin e Popullit.
 
“Rëndësia e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është vendimtare për të siguruar demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Nuk do të ketë demokraci të mirëfilltë dhe sundim të ligjit, nëse qytetarëve nuk u sigurohet respektimi, mbrojtja dhe zbatimi i të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.
 
Për të pasur sukses në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, presidenti Thaçi ka thënë se medoemos duhet një bashkëpunim i të gjithë mekanizmave dhe autoriteteve në nivel shtetëror, qofshin ata institucional apo nga shoqëria civile dhe një bashkëpunim me mekanizmat dhe autoritetet ndërkombëtare.
 
“Institucionet dhe qytetarët tanë nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojnë të heshtur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Është përgjegjësi e çdo institucioni dhe e çdo qytetari, që të angazhohet për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, të garantuara me Kushtetutë dhe legjislacionin përkatës në fuqi”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
“Si shoqëri nuk duhet të jemi të kënaqur të reagojmë vetëm në situatat kur viktimat të cilat përjetojnë diskriminim ankohen dhe u ofrojmë ndihmë dhe mbrojtje ligjore. Duhet një luftë pa asnjë kompromis ndaj çdo akti të diskriminimit”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se duhet të çmohen edhe përfitimet që na sjell diversiteti të gjithë neve dhe duhet ta mbrojmë këtë.
 
Në këtë konferencë, presidenti Thaçi ka thënë se autoritetet kompetente duhet të vihen në funksionim të plotë dhe të shënohen rezultate domethënëse në drejtim të parandalimit dhe luftimit të çdo akti të diskriminimit.
 
“Krijimi i bazës ligjore duhet të përcillet edhe me zbatim efektiv të asaj baze ligjore”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pranishëm në konferencën e misionit të OSBE-së për fushatën informuese të pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut ishte edhe ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, si dhe avokati i popullit, Hilmi Jashari.