Presidenti: Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi vlerat e të drejtave të njeriut

Prishtinë, 08 dhjetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot pjesë në konferencën: "Të drejtat e njeriut dhe integrimi i grupeve të margjinalizuara në Kosovë", e financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC).

Në fjalën e tij, presidenti Thaçi ka thënë se respektimi i të drejtave të njeriut dhe integrimi i grupeve të margjinalizuara, është sfidë, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet me të zhvilluara.  

Ai ka shtuar se që nga fillimi i ndërtimit të shtetit tonë, legjislacioni i Republikës së Kosovës është draftuar ashtu që të promovojë, të mbrojë dhe të garantojë të drejtat e njeriut.

“Kushtetuta e Kosovës, si akti me i lartë juridik i vendit, garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të parapara në vetë kushtetutë”, ka theksuar Thaçi.

Sipas tij, një hap të rëndësishëm në ketë fushë, Republika e Kosovës ka bërë edhe me nxjerrjen e ligjit për mbrojtje nga diskriminimi, ligjit për barazi gjinore dhe ligjit për avokatin e popullit, që kanë hyrë në fuqi nga qershori i vitit 2015.

“Republika e Kosovës ka mekanizma institucionalë për mbrojtjen, promovimin dhe garantimin e të drejtave të njeriut. Është duke u bërë punë e mirë nga këta mekanizma institucionalë”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se tani është i nevojshëm forcimi i tyre, në mënyrë që të garantohen të drejtat dhe liritë për të gjithë qytetarët.

Para shumë përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe vendore që merren me të drejtat e njeriut, presidenti Thaçi ka theksuar se rëndësia e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është vendimtare për të siguruar demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

Ai ka thënë se nuk do të ketë demokraci të mirëfilltë dhe sundim të ligjit nëse qytetarëve nuk u sigurohet respektimi, mbrojtja dhe zbatimi i të drejtave të tyre.  

“Shoqëria kosovare po kalon nëpër disa tranzicione – në atë ekonomik, shoqëror e kulturor. Diskriminimi, represioni dhe lufta i kanë penguar këto tranzicione. Tani është koha t’i vazhdojmë ato dhe të ecim përpara”, ka shtuar presidenti.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për integrimin e grupeve të margjinalizuara dhe respektimin e të drejtave të njeriut. 

Sipas tij, të gjitha institucionit duhet të punojnë të gjithë së bashku, si shoqëria civile, mediet, aktivistë të pavarur dhe e gjithë shoqëria, në mënyrë që Kosova të jetë shtëpi e të gjithëve, pa dallim përkatësinë e tyre apo përcaktimin e tyre.

“Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi këto vlera të gjithëpërfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ që të realizojë vetveten dhe të kërkojë lumturinë e tij/saj pa iu cenuar asnjëherë e drejta që të jetë pjesë e shoqërisë kosovare”, ka shtua ai.

Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se një nga mekanizmat kryesor për realizimin e aspiratës së Kosovës që të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të vet, një shoqëri gjithëpërfshirëse, janë forumet si ky i sotshmi.