Presidenti Sejdiu vizitoi komunën e Prishtinës dhe atë të Novobërdës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i shoqëruar nga ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, vizitoi sot komunën e Prishtinës dhe komunën e Novobërdës, ku u prit nga udhëheqja komunale dhe diskutoi për zhvillimet aktuale në këto komuna dhe problemet që kanë ato njëkohësisht duke ju ofruar përkrahjen e nevojshme nga institucionet e nivelit qendror.

Në objektin e ri të komunës së Prishtinës, në lagjen Arbëria, Presidenti Sejdiu u prit nga kryetari i kryeqytetit, dr. Isa Mustafa dhe zhvilloi një takim të gjatë me drejtorët e drejtorive komunale, shefat e grupeve parlamentare e zyrtarë të tjerë komunalë.

Presidenti Sejdiu tha se komunën e Prishtinës po e viziton si President po edhe si qytetar i Prishtinës, për t’u informuar për punët që bën udhëheqja komunale, por edhe për t’i dhënë asaj përkrahje.

“Kam ardhur për t’u informuar me të gjitha zhvillimet, për sukseset dhe sfidat që ka para vetes, për të ofruar mbështetjen time dhe të institucioneve qendrore si interes nacional që ka kryeqyteti sikur edhe qytetet e tjera, por, kryeqyteti ka specifikën e vet të lëviz më shpejt në zhvillime të reja, të realizohen projektet e prezantuara para qytetarëve, pra të realizohen pritjet e qytetarëve të vendit dhe të kryeqytetit”, theksoi Presidenti Sejdiu.

“Në këtë kuadër natyrisht të punohet më shumë në hapjen e horizonteve të reja, që janë gjithmonë sfiduese, krahas asaj që është pjesë e obligimeve në rregullativën legjislative që lidhet edhe me ligjin për kryeqytetin që është proceduar në Parlament, por, të njëjtën kohë edhe aspektet e tjera infrastrukturore specifike që Prishtina s’i ka jetuar deri tash dhe duhet t’i jetoj”, vijoi Presidenti Sejdiu, duke shtuar se Prishtina dhe Kosova duhet të hyjnë nesër në gara sportive ndërkombëtare, në organizim të ngjarjeve kulturore si dhe të jetë nikoqire e ngjarjeve të tjera edhe politike.

Duke u angazhuar për krijimin e kushteve sa më të mira për jetë banorëve të kryeqytetit, por edhe vendbanimeve të tjera që përfshin komuna e Prishtinës, Presidenti Sejdiu theksoi se “është borxh i kryeqytetit, por edhe i nivelit qendrorë që të sigurojë mbështetjen e fuqishme që të ecim në këtë drejtim dhe që jeta e qytetarëve të komunës, të jetë jetë e siguruar me benefitet e përafërta sikur për atë që jeton në Dardani, në Ulpianë apo në pjesën e vjetër të qytetit, sikur për atë që mund të jetë në Koliq apo në Barilevë”.

Vizita në komunën e Prishtinës është vizita e parë në ciklin e vizitave që Presidenti Sejdiu do të bëjë në komunat e Kosovës.

Në këtë kuadër, ai sot vizitoi edhe komunën  e Novobërdës, ku u prit nga kryetari i komunës, Bajrush Ymeri dhe udhëheqja komunale.

Në një bashkëbisedim me udhëheqjen komunale, Presidenti Sejdiu u njoftua me gjendjen në këtë komunë, punët që janë kryer dhe sfidat që e presin atë në të ardhmen.

“Çmoj shumë lart punët që janë bërë nga kryetari i komunës me njerëzit, me qytetarët e kësaj ane. Vizionin që kanë këta, që vërtet komuna të jetë një realizim i pritjeve të të gjithë njerëzve që u kanë dhënë mbështetje”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke shtuar se i ka shprehur udhëheqjes komunale gjithë mbështetjen për punën që bëjnë dhe përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve të nivelit qendror.

“Çmoj shumë lart bashkëpunimin mes dy etnive kryesore, në kuptimin e numrave, shqiptarëve dhe serbëve, por edhe të komuniteteve të tjera dhe them po ashtu shembullin e mirë që është historik, në periudha të gjata kohore të bashkëpunimit në projekte të rëndësishme”, vijoi Presidenti Sejdiu.

Duke folur për të kaluarën e këtij vendbanimi dhe shanseve të zhvillimit në të ardhmen, Presidenti Sejdiu përkujtoi se “Novobërda ka qenë nga qytetet më të rëndësishme të Evropës në një kohë, për shkak të pasurive minerale që ka në nëntokën e saj dhe mendoj se do të jetë koha e studimeve të reja dhe e shfrytëzimit të shansit të ri për zhvillim të kësaj komune por edhe të vetë Kosovës”.

“Për ne është me rëndësi se të gjitha proceset që i kemi kapërcyer edhe në kuptimin politik dhe procesi i decentralizimit në këtë hapësirë ka qenë një temë e veçantë me zgjerimin kadastral, por, them se njerëzit që janë bashkuar do të jenë bashkëpunëtorë të mirë në vazhdimësi si qytetarë, si njerëz që duan t’i realizojnë interesat e tyre brenda komunës dhe një kohezion të mirë bashkëpunimi që është edhe me prezencën ndërkombëtare në Kosovë, me njerëz të ICO-së, EULEX-it, por të njëjtën kohë edhe më një bashkëpunim shumë të thellë që kanë me KFOR-in, gjithmonë në të mirë të komunës”, theksoi Presidenti Sejdiu.