Presidenti Sejdiu vizitoi Komandën e Stërvitjes të FSK-së në Ferizaj

Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ferizaj, sot është zhvilluar faza finale testuese e disa batalioneve të FSK-së në demonstrimin e kapaciteteve fillestare operacionale. Demonstrimi i pjesëtarëve të FSK-së është përcjellë nga ekspertë të NATO-s, të cilët do të japin vlerësimin për të arriturat e FSK-së, në një raport që do të hartojnë më vonë.

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i FSK-së Fehmi Mujota dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Gjuzepe Emilio Gay kanë përcjellë demonstrimin e detyrave nga pjesëtarët e FSK-së dhe janë shprehur me fjalët më të mira për të arriturat e pjesëtarëve të kësaj force.

Presidenti Fatmir Sejdiu është shprehur i kënaqur me arritjet e deritashme të FSK-së, siç tha ai, për të qenë në rolin që kanë, për të qenë partner të mirë për paqen, për stabilitetin e vendit, për bashkëpunimet e tjera të rëndësishme që do të vinë në fazat e mëvonshme. Këta njerëz kanë arritur në mënyrën më të mirë të mundshme të shprehin shkathtësitë e tyre, theksoi Presidenti Sejdiu.