Presidenti Sejdiu uroi z. David Cameron

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i ka dërguar një telegram urimi z. David Cameron, me rastin e zgjedhjes së tij Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

Në vijim po e japim të plotë urimin e Presidentit Sejdiu:

I nderuari z. Cameron,


Kam kënaqësinë e veçantë që t’ju përgëzoj – në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës – për emërimin tuaj si Kryesues i Qeverisë së Madhërisë Suaj.

Rezultatet e zgjedhjeve të 16 majit ofrojnë një rast historik për rinimin e Mbretërisë së Bashkuar në një periudhë kritike për Evropën dhe, në të vërtetë, për mbarë botën.

Jemi shumë mirënjohës për rolin që e ka luajtur vendi i juaj në kohë lufte dhe paqeje gjatë historisë moderne të Kosovës. Kemi pasur bashkëpunimin e pakursyer të qeverisë suaj dhe, ç’është e vërteta, të mbarë spektrit politik të shoqërisë britanike, meqë Kosova ka fituar lirinë dhe pavarësinë e saj si shtetërore, e cila është njohur nga 68 shtete.

Republika e Kosovës mëton t’i avancojë marrëdhëniet e përgjithshme dhe miqësore me Mbretërinë e Bashkuar dhe besoj se ju, z. Cameron, do të jeni mik dhe aleat në ecjen e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

I nderuari Kryeministër,

Më lejoni ta shfrytëzoj këtë rast që t’ju ftoj ta vizitoni Republikën e Kosovës, shtetin e ri që ka përqafuar botën e re të kombeve të lira, në rastin e parë që do ta konsideroni të volitshëm.
 
Duke i dëshiruar popullit të Mbretërisë së Bashkuar një periudhë rinimi ekonomik dhe politik gjatë udhëheqjes suaj të fuqishme, mbes

I Juaji sinqerisht,
Dr. Fatmir Sejdiu
Kryetar i Republikës së Kosovës