Presidenti Sejdiu uroi Presidentin Topi dhe Kryeministrin Berisha

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu uroi Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi, dhe Kryeministrin Sali Berisha, me rastin e firmosjes së Protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. George W. Bush.

Duke e cilësuar këtë ngjarje si një hap të madh përpara drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në strukturat euroatlantike, Presidenti Sejdiu vlerësoi se ky është një akt tepër i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, sepse sjell mesazhin më të fuqishëm për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e sigurt të të gjitha vendeve të kësaj pjese të Evropës Juglindore.

“Nënshkrimi i Protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO nga Presidenti George W. Bush është një moment historik për Republikën e Shqipërisë. Shqipëria po merr mirënjohjen e merituar për gjithë ato përpjekje madhore që kanë bërë institucionet dhe qytetarët e Shqipërisë për ta arritur këtë ditë. Kjo mirënjohje na jep forcë edhe ne Kosovë që të punojmë për arritjen e standardeve të kërkuara për anëtarësim në familjen e lirë e demokratike euroatlantike, si kusht për paqen e përhershme në rajon”, thuhet në urimin e Presidentit Sejdiu.