Presidenti Sejdiu uroi Presidentin Barack Obama

09.10.2009. - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu e ka uruar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, me rastin e nderimit të tij me çmimi Nobel për Paqe. Në urim thuhet:

Shkëlqesisë së  tij, Barack Obama

President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës 

I nderuari President Obama:  


Dua ta shfrytëzoj këtë  rast që, në emër të popullit dhe institucioneve të  Republikës së Kosovës, ta përgëzojë Shkëlqesinë  Tuaj për marrjen e çmimit prestigjioz të Nobelit për Paqe. Ky çmim është dëshmi e suksesit tuaj si lider i një vendi të lirë që synon krijimin e një bote më të sigurt dhe më paqësore. 


Populli i shtetit më  të ri në botë, Republikës së Kosovës, e ka pranuar me gëzim këtë lajm dhe me respekt dhe admirim të lartë i bashkohet Shkëlqesisë Suaj në festimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Për ne që kemi përfituar drejtpërsëdrejti nga vendosmëria e vendit tuaj për ta garantuar lirinë e popujve anekënd botës, zgjedhja e Juaj si laureat i Çmimit Nobel për Paqe është një shenjë që dëshmon se ka shpresë dhe përkrahje për të gjithë ata që besojnë në liri, por që nuk mund ta fitojnë atë pa ndihmën e të tjerëve.   


Tani që keni pranuar këtë nder dhe përgjegjësi të madhe, jam i bindur se nuk do t’i kurseni përpjekjet e Juaja për ta promovuar lirinë dhe demokracinë në mbarë botën dhe për ta bërë botën më të sigurt për të gjithë ne. Meqë populli i Kosovës e çmon lart kontributin e paçmueshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dhënë për popullin e Republikës së Kosovës, ju mund të llogarisni që ai do të jetë përkrah jush në të gjitha përpjekjet e juaja në këtë drejtim.   


Në pritje të përforcimit të vazhdueshëm të lidhjeve të veçanta midis dy vendeve tona, ia përcjell edhe njëherë Shkëlqesisë Suaj përgëzimet e mia të përzemërta dhe ju siguroj për nderimin dhe konsideratën time më të lartë.

Sinqerisht,

Dr. Fatmir Sejdiu 

 

President i Republikës së Kosovës